Incidenti me armë zjarri në Fier, policia vë në pranga dy persona, ende në kërkim autori që qëlloi

22/11/2025 11:05

Policia e Fierit ka njoftuar arrestimin e dy personave të përfshirë në incidentin e mbrëmjes së djeshme, ku në një lokal në lagjen “8 Shkurti” u raportuan të shtëna me armë zjarri pas një konflikti mes dy shtetasve.

Specialistët për Hetimin e Krimeve kapën dhe arrestuan në flagrancë 36-vjeçarin Mariglen Sinaj, banues në Fier, një nga personat e përfshirë në konflikt, si dhe pronarin e lokalit, 43-vjeçarin A. B., i cili akuzohet për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.

Ndërkohë, vijon puna intensive për kapjen e personit që dyshohet se ka qëlluar në dyshemenë e lokalit me armë zjarri, 33-vjeçarit Romeo Çako, banues në Fier, i cili është shpallur në kërkim.

Sipas të dhënave paraprake, mbrëmjen e së premtes dy persona janë konfliktuar brenda lokalit, dhe situata ka degjeneruar në përdorimin e armës së zjarrit. Fatmirësisht nuk raportohet për të plagosur.

Hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e rrethanave që çuan në përshkallëzimin e konfliktit.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta