Ura e Glinës shembet nga reshjet, pesë fshatra në Dropull mbeten të izoluara Nga ura e Mifolit në Novoselë të Vlorës, kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, ka dhënë përditësimin më të fundit mbi situatën e krijuar nga reshjet e dendura të ditëve të fundit dhe daljet e lumenjve në disa zona të vendit.
Çako deklaroi se strukturat e emergjencave vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë, pasi situata ende mbetet e paqëndrueshme.
Duke iu referuar lumit Vjosë, kreu i emergjencave theksoi se gjatë orëve të fundit është vënë re një ulje e nivelit të tij dhe prurjet tashmë janë në kufij të menaxhueshëm.
Ai u ndal gjithashtu tek problematikat e evidentuara në disa zona të vendit, si në veri, Lezhë, Shkodër, Devoll dhe juglindje, ku janë shënuar dëmtime të argjinaturave dhe përmbytje të tokave bujqësore.
Çako ka konfirmuar se edhe në fshatin Çukë të Sarandës është ndërhyrë paraprakisht, por pas tërheqjes së ujit do të nevojiten ndërhyrje të tjera për përmirësimin e argjinaturës.
Lidhur me reshjet në vijim, ai bëri të ditur se pritet të jenë më pak intensive për shkak të uljes së temperaturave, ndërsa më pas do të nisë verifikimi i dëmeve të shkaktuara në terren.
Prej disa ditësh vendi është përfshirë nga moti i keq, me problematika të shfaqura si në veri, ashtu edhe në jug e zona të tjera, ndërsa ekipet e emergjencave vijojnë punën për minimizimin e pasojave.
Top Channel