Analiza/ Kush është Steve Witkoff, njeriu që Trump i besoi politikën e jashtme?

22/11/2025 18:52

Steve Witkoff, 68 vjeç, është një biznesmen i pasur dhe me ndikim në fushën e pasurive të paluajtshme në New York. Edhe pse nuk ka përvojë politike apo diplomatike, ai njihet për aftësinë për të negociuar marrëveshje të favorshme, shpesh pa u ndikuar nga konsiderata morale.

Sipas analizës së ‘Corriere Della Sera’, i lindur në Long Island, në një familje të klasës së mesme, Witkoff studioi juridik dhe nisi karrierën në biznes që herët. Gjatë viteve ’80 dhe ’90 ai u bë një nga ndërmjetësit më aktiv në zhvillimet ndërtimore të New York-ut.

Rritja e tij në sektor çoi në krijimin e një rrjeti të gjerë bashkëpunimesh, derisa takoi Donald Trump. Njohja me të solli një bashkëpunim të ngushtë, të bazuar në pragmatizëm dhe interesa financiare.

Kur Trump kandidoi për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, Witkoff ishte një nga mbështetësit e tij financiarë. Marrëdhëniet mes tyre mbetën të forta ndër vite, përfshirë bashkëpunime në projekte biznesi, si krijimi i kompanisë për kriptovaluta “World Liberty Financial” në vitin 2024.

Pas rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë, ai i besoi Witkoff-it një rol kyç në politikën e jashtme amerikane, duke i deleguar çështje të rëndësishme, nga Lindja e Mesme deri te konflikti në Ukrainë. Pikërisht aty u prezantua plani i tij me 28 pika për paqen në Ukrainë.

Plani favorizonte Rusinë dhe presidentin Vladimir Putin, duke i dhënë përparësi kërkesave të tyre, ndërsa Ukraina dhe presidenti Zelensky vendoseshin në një pozicion të dobët. Dokumenti parashikonte që Ukraina të pranonte humbje territoriale, të reduktonte forcat e armatosura dhe të hiqte dorë nga perspektiva e anëtarësimit në NATO. Ndërkohë, Putin do të rimerte vendin në tryezën e G8 dhe rehabilitimin ndërkombëtar.

Për rindërtimin e Ukrainës, plani propozonte përdorimin e 100 miliardë dollarëve të rezervave ruse të ngrira në Europë për projekte në Ukrainë, me përfitime për SHBA-në. Një shumë tjetër prej 100 miliardësh do të përdorej për projekte të përbashkëta ruso-amerikane, ndërsa Europa do të duhej të kontribuonte edhe me 100 miliardë të tjera për rindërtim.

Një diplomat i cituar nga Politico.eu deklaroi se Witkoff “duhet të konsultohet me një psikiatër”, duke e krahasuar sjelljen e tij me atë të një tregtari të aftë dhe jo të një diplomati.

Sipas kritikëve, pesha e marrëveshjes anon dukshëm në favor të Rusisë, ndërsa Ukrainës i ofrohen kryesisht premtime. Witkoff, sipas tyre, ka ndërhyrë edhe në fusha që nuk janë në kompetencën e tij, përfshirë procesin e anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta