“Shpëtoni pensionet! Ndryshoni skemën”, Banka Botërore: Mblidhni taksa nga qiraja, pronat, karboni dhe duhani”

21/11/2025 15:20

Shqipëria rrezikon të ngadalësojë ritmin e zhvillimit nëse nuk thellon urgjentisht reformat fiskale. Është ky paralajmërimi që Banka Botërore jep në raportin e ri për financat publike.

Skema e pensioneve është një ndër sektorët prioritar sipas Bankës e cila po kthehet në e paqëndrueshme nga ngushtimi i raportit kontribues-përfitues.

Perspektivat e rritjes ekonomike së Shqipërisë varen nga forcimi i kapitalit njerëzor, përmirësimi i infrastrukturës dhe avancimi i politikave klimatike për të përshpejtuar konvergjencën me BE-në, veçanërisht në kushtet e ndryshimeve demografike. Shqipëria mund të rrisë investimet tek njerëzit dhe të forcojë ekonominë duke rritur të ardhurat dhe duke shpenzuar më efikasitet.”, u shpreh Massimiliano Paolucci, Banka Botërore.

Raporti tregon se, ndonëse reformat e viteve të fundit kanë forcuar administratën tatimore, të ardhurat mbeten larg potencialit për shkak të informalitetit, mosdeklarimit të pagave.

Banka Botërore rekomandon ndërhyrje të drejtpërdrejta: formalizimin e qirave afatshkurtra, rivlerësimin e taksës mbi pronën sipas vlerës së tregut, taksën e karbonit për qymyrin dhe rritjen e taksave të duhanit në nivelin e BE-së. Këto masa mund të sjellin deri në 0.9 për qind të PBB-së shtesë në të ardhura.

Ministri i Financave vlerësoi rekomandimet e Bankës Botërore të cilat sipas tij do të ndihmojnë në hartimin e politikave më efikase.

Kuadri fiskal që ndërtojmë sot do të formësojë të ardhmen e Shqipërisë për dekadat e ardhshme. Ne kemi bërë përparime të rëndësishme, por kërkohen reforma të thelluara dhe politika të koordinuara për të përmirësuar cilësinë dhe efikasitetin e financave publike”, deklaroi ministri i Financave, Petrit Malaj.

Në mbyllje, Banka Botërore thekson se Shqipëria ka njohur progres, por për të përshpejtuar konvergjencën me BE-në duhet disiplinë fiskale, reforma të qëndrueshme dhe investime më të mëdha te njerëzit dhe shërbimet publike.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta