Plani i paqes mes Rusisë dhe Ukrainës, Moska: Nuk kemi marrë asnjë informacion zyrtar nga SHBA
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Marta kos, Kryeministri Edi Rama u ndal edhe te arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Ai u shpreh se në asnjë vend të Bashkimit Europian nuk mund të ndodhë që kryebashkiaku të merret nga zyra dhe të dërgohet në paraburgim pa gjyq.
“Për ta mbyllur dua të shtoj diçka që është shumë e rëndësishme në parim, sepse u soll këtu Bashkimi Europian si një pikë referimi për çfarë duhet të ndodhë nga pikëpamja politike. Nuk ka një qëndrim uniform në Bashkimin Europian, por ajo që është më e rëndësishme sesa kjo, është që nuk bën vaki në Bashkimin Europian, që njerëzit të pezullohen nga funksionet, është unike në historinë e Europës kjo, duke qenë të zgjedhur, nuk bën vaki në Bashkimin Europian që kryetarët e bashkisë të merren nga zyra dhe të çohen në burg, pa gjyq dhe të mbahen në paraburgim për muaj e muaj të tërë, nuk bën vaki në Bashkimin Europian që siç e thotë jo qeveria e Shqipërisë, po “komisioni i torturës i Strasburgut” – një vend të ketë më shumë të paraburgosur, sesa njerëz të gjykuar dhe të burgosur me gjyq.
Kështu që, në këtë pikë, unë besoj që të gjithë duhet të bëjmë punën dhe të luajmë rolin tonë. Ne kemi tonin, roli ynë është që të jemi garant të kësaj pavarësie të drejtësisë që Shqipëria po e njeh për herë të parë në historinë e vet, ta mbrojmë këtë pavarësi të gjyqësorit edhe kur rëndon mbi ne në formën e një padrejtësie sipas nesh, që e përsëris nuk ka të ngjashme në Europë dhe të respektojmë kufirin tonë, pa hyrë në territorin e një pushteti tjetër të pavarur. Por, nga ana tjetër, të gjithë duhet të bëjnë detyrën e tyre.
Nuk mund të hyhet në territorin e një pushteti tjetër të pavarur, dhe kjo vlen edhe për Pushtetin Ekzekutiv, kjo vlen edhe për Pushtetin Legjislativ, ashtu sikundër miqësisht ju them që kultura e gjyqeve popullore dhe e organizimeve nëpër salla, që dikur ishin salla teatrosh dhe vatrash kulture, sot janë sallone mediatike për të dhënë dënime bazuar mbi sekrete hetimore të nxjerra nga vetë prokurorët, është një kulturë që duhet ta luftojmë të gjithë, sepse nuk i bën mirë askujt dhe nuk i bën mirë kësaj shoqërie, por, natyrisht, nuk është puna ime ajo, puna ime është kjo që po ju them: – Ne jemi garantët e pavarësisë së gjyqësorit, do vazhdojmë të jemi garantët e pavarësisë me çdo çmim, edhe kur çmimi është i atillë që të vjen të mos ndalesh, duke thënë se çfarë të shkon nëpër mend, por këtë rrugë kemi zgjedhur dhe vetëm kështu ne mund të arrijmë objektivin që të bëhemi vend anëtar i Bashkëpunimit Europian dhe duhet ta besojmë këtë gjë. Është një pushtet i ri fëmijëror, i ndërtuar mbi një të kaluar, që nuk e ndihmon drejtësinë e pavarur, s’ka traditë, s’ka kulturë historike të një drejtësie të pavarur.
Aftësitë e prokurorëve dhe gjykatësve janë një pjesë shumë e rëndësishme që duhen rritur dhe forcuar, duhet kohë, duhet durim dhe duhet vendosmëri. Ne këtë vendosmëri e kemi dhe për sa kohë do ta kemi, do të jetë kështu dhe kur them për sa kohë do ta kemi, flas për veten time, që sa të jem unë në këtë detyrë, nuk do shikoni luftëra me drejtësinë apo akuza për të kundërshtuar akuzat që bën drejtësia. Ato duhet t’i shohë një gjykata, por ama nga ana tjetër ka një kufi, ai është kufiri që e përqafon Kushtetuta midis pushteteve të pavarura dhe, nëse ne lejojmë të shkelet edhe ai kufi, atëherë ne kemi humbur diçka që është themelore, jo për mua, as për këtë qeveri, as për një ministër të kësaj qeverie, po për rendin kushtetues në Republikën e Shqipërisë”, tha Rama.
Top Channel