Sot, ora 13:00/ Sytë e shqiptarëve nga play off-i i Botërorit! Nga kundërshtarët e mundshëm te datat e ndeshjeve, gjithçka duhet të dini

20/11/2025 07:33

Sytë e gjithë shqiptarëve do të jenë sot nga Zyrihu, aty ku në orën 13:00 do të hidhet shorti i fazës play off të Botërorit 2026.

Shqipëria është e vendosur në vazon e tretë, së bashku me Kosovën, të cilat shmanguin një ndeshje me njëra-tjetrën. Pjesë e kësaj vazoje janë gjithashtu edhe Irlanda me Bosnje & Hercegovinën.

Dy ekipet shqiptare do të ndeshen me një nga përfaqësueset e vazosë numër 2, në të cilat bëjnë pjesë: Polonia, Uellsi, Rep. Çeke dhe Sllovakia.

Në rast triumfi, atëherë do të luhet finalja me një prej fituesve të një çifti tjetër të përcaktuar nga dy vazot e tjera, 1 dhe 4.

Shqipëria dhe Kosova do të duhet që ndeshjen e parë ta luajnë jashtë fushe, ndërsa një tjetër short do të përcaktojë se cilat shtete do të presin finalet.

Sfidat gjysmëfinale do të luhen të enjten e 26 marsit, ndërsa finalet pesë ditë më vonë.

Gjithashtu, FIFA duket se ka vendosur sa i përket përfaqësueseve që do të vijnë nga play off-i, se të gjitha ato që do të kualifikohen do të vendosen në vazon e katërt të fazës finale të Botërorit 2026, me shortin që do të hidhet më 5 dhjetor.

VAZOT:

VAZO 1: Itali, Danimarkë, Turqi, Ukrainë

VAZO 2: Poloni, Uells, Republika Çeke, Sllovaki

VAZO 3: Shqipëri, Kosovë, Irlandë, Bosnje & Hercegovinë

VAZO 4: Suedi, Rumani, Maqedoni e Veriut, Irlandë e Veriut

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta