“Shqipëria drejt qeverisjes nga algoritmet”/ Rama i përgjigjet ish-drejtorit të Google: Diella nuk është as sunduese, as zëvendësuese e demokracisë

20/11/2025 22:29

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur një komenti të shkruar nga ish-drejtori ekzekutiv i Google, Erik Shmidt në “The New York Times”, i cili thoshte se me ministre AI, Shqipëria po shkonte drejt qeverisjes nga algoritmet.

“Shqipëria është vendi i parë që ndërmerr një hap të vërtetë drejt “algokracisë”: qeverisjes me anë të algoritmit”-e nis editorialin Shmidt, për cilin Rama thotë se është zhgënjyer.

Kreu i ekzekutivit shkruan se Diella nuk është as sunduese, as zëvendësuese e demokracisë, por “kujdestare publike e konceptuar për ta bërë demokracinë të funksionojë më mirë dhe shërbimet publike më të shpejta, më të drejta dhe më transparente”.

Kam shumë respekt për z. Schmidt. Lidershipi e tij në Google dhe idetë e tij mbi marrëdhënien midis teknologjisë dhe shoqërisë kanë frymëzuar një brez të tërë politikëbërësish, përfshirë edhe mua. Por si kryeministër i Shqipërisë, u zhgënjeva kur lexova përshkrimin e tij për Diellën, nismën shqiptare të qeverisjes me A.I., si “një hap drejt ‘algokracisë’: qeverisjes nga algoritmet”.

Diella nuk është as sunduese dhe as zëvendësuese e demokracisë. Ajo është një shërbyese civile digjitale, një kujdestare publike e konceptuar për ta bërë demokracinë të funksionojë më mirë dhe shërbimet publike më të shpejta, më të drejta dhe më transparente.

Për dekada me radhë, Shqipëria, si shumë demokraci të reja, është përballur me korrupsion në prokurimet publike. Kur rregullat shkelen, nuk janë algoritmet që dështojnë, por njerëzit.
Diella është ndërtuar për të zbatuar ligjet dhe procedurat ekzistuese paanshmërisht dhe pa ndikim politik. Vlerat që ajo zbaton — drejtësia, transparenca, efikasiteti — nuk janë abstraksione matematikore; ato janë parime demokratike, të kodifikuara dhe plotësisht të auditueshme.

Me Diellën, çdo vendim është i gjurmueshëm, i shpjegueshëm dhe i hapur për apelim. Kjo nuk është “qeverisje me algoritëm”. Është qeverisje përmes ligjit, e zbatuar nga teknologjia, nën vëzhgimin e qytetarëve.

Qëllimi i Shqipërisë nuk është t’ia dorëzojë pushtetin makinave, por por të çlirojë njerëzit nga joefikasiteti dhe tundimi. Ne nuk po ndërtojmë një algokraci në Shqipëri. Ne po ndërtojmë një demokraci digjitale”-thuhet në editorialin e Ramës për “The New York Times”.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta