25 vite burg ka kërkuar Prokuroria e Tiranës për ish-policin Tomor Çela, i cili në vitin 1997 vrau Elton Danin e Ledian Hoxhën pas një debati për një aksident me makinë.

Çela ka punuar si punonjës policie në Komisariatin e Policisë Nr.4 Tiranë, detyrë nga e cila është liruar më datë 15.06.1997. Gjatë kohës që ka qenë në detyrë ai ka qenë i pajisur me armën automatik model Kallashnikov të cilin nuk e ka dorëzuar por e ka mbajtur në banesë pa leje të organeve kompetente.

Më 27 nëntor të atij viti, rreth orës 20:30 në lagjen nr.9, rruga B.Curri ka qëlluar me armë zjarri automatike ndaj viktimave Elton Danin e Ledian Hoxhën, duke ju shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Viktimat në momentin e vrasjes kanë qenë duke udhëtuar me një mjet tip autoveture Volvo. Pas kryerjes së vrasjes Çela është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.

Gjatë hetimit të këtij procedimi penal nuk është përcaktuar qartë shkaku i ndodhjes së kësaj ngjarje të rëndë me pasojë vrasjen e dy personave.

Nga sa doli gjatë gjykimit, rezulton se autori, tre katër ditë përpara ngjarjes, duke drejtuar një mjet tip benz Mercedes 240 është përplasur me autoveturën ku udhëtonin dy personat, ku për pasojë janë dëmtuar të dy mjetet.

Pas aksidentit i pandehuri është konfliktar me të dy, dhe më pas duke mos u dakordësuar në lidhje me dëmet e shkaktuara kanë lindur kontradikta të cilat kanë çuar në ndodhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë me pasojë vrasjen e tyre, thotë Prokuroria.

“Nga aktet e administruara në dosje rezulton se i pandehuri i është shmangur hetimit dhe gjykimit të çështjes në ngarkim të tij. Nga ana e të pandehurit nuk është paraqitur asnjë shenjë pendese për cfarë ai ka kyrer, vrasjen e dy shtetasve të cilët kanë qenë në moshë të re.

Duke patur parasysh rrethanat e çështjes dhe sanksionin që parashikon ligji për këtë vepër penale, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkon deklarimin fajtor të të pandehurit, T.Ç. për veprën penale ‘Vrasje me paramendim’ në dëm të shtetasit E.D. dhe L.H. dhe dënimin e tij me 25 vite burg”-sipas prokurorisë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta