Kurasao ka arritur një moment historik në futbollin botëror, duke siguruar një barazim 0-0 ndaj Xhamajkës të martën dhe duke u bërë kombi më i vogël në botë, për nga popullsia, që kualifikohet në një Kupë të Botës. Së bashku me të, biletën e Botërorit e siguruan edhe përfaqësueset e CONCACAF-it, Panama dhe Haiti.

Me vetëm 156,115 banorë, sipas të dhënave zyrtare të janarit, Kurasao rrëzon rekordin e vendosur nga Islanda (350 mijë banorë) në Botërorin 2018. Për më tepër, skuadra u kualifikua e pamposhtur, duke kryesuar Grupin B me 12 pikë dhe duke prekur për herë të parë Botërorin.

Kualifikimi vjen pavarësisht mungesës në stol të trajnerit legjendar Dick Advocaat, i cili u detyrua të kthehej në Holandë për arsye familjare. Advocaat, me një karrierë të pasur ku ka drejtuar Holandën në tre periudha të ndryshme, si dhe kombëtare si Koreja e Jugut, Belgjika dhe Rusia, ka qenë një figurë kyçe në ngritjen e ekipit.

Panama siguroi kualifikimin e saj të dytë historik pas fitores 3-0 ndaj El Salvadorit. Golat u realizuan nga Cesar Blackman (17’), Erick Davis (45’) dhe Jose Luis Rodriguez (85’). Panamezët, të cilët kanë luajtur vetëm një herë më parë në Botëror – në Rusi 2018 – e mbyllën Grupin A me 12 pikë, duke lënë pas Surinamin që u mund 3-1 nga Guatemalë.

Haiti, ndërkohë, surprizoi të gjithë duke triumfuar në Grupin C dhe duke lënë pas favoritët Honduras dhe Kosta Rika. Fitorja 2-1 ndaj Nikaraguas, me golat e Loicious Deedson (9’) dhe Ruben Providence (45’), i dha haitianëve një kualifikim historik, të dytin në historinë e tyre pas Botërorit 1974.

Haiti e mbylli grupin me 11 pikë, ndërsa Honduras u rendit me 9 dhe Kosta Rika me 7.

Ky edicion i kualifikimeve në CONCACAF po cilësohet tashmë si një nga më befasuesit, duke sjellë në Botëror një kombinim të historisë, surprizave dhe rekordeve të reja.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta