Sabotime në hekurudhat e Polonisë, të dyshuarit kryesorë dy ukrainas/ Tusk: Qëllimi ishte një katastrofë

18/11/2025 18:51

Dy ukrainas të dyshuar për bashkëpunim afatgjatë me shërbimet sekrete ruse janë identifikuar si autorët e dy akteve sabotimi në rrjetin hekurudhor të Polonisë.

Sipas BBC-së, njëri prej të dyshuarve ishte dënuar më herët për akte sabotimi në Ukrainë. Gjatë një fjalimi në parlament, kryeministri Donald Tusk tha se kishte vizituar vendin e shpërthimit pranë fshatit Mika, në juglindje të Varshavës, ku fundjavën e kaluar u dëmtua linja hekurudhore që çon drejt kufirit ukrainas. Ai e përshkroi ngjarjen si “një akt sabotimi i paprecedentë”.

Ndërkohë një incident i dytë ndodhi pranë Pulawy, ku një tren me pasagjerë u detyrua të ndalonte menjëherë për shkak të dëmtimit të kabllove ajrore. Fillimisht, autoritetet polake deklaruan se kishte shumë gjasa që sabotimet në linjën hekurudhore Varshavë–Lublin të ishin urdhëruar nga një “shërbim i huaj”. Më vonë, një zëdhënës i ministrit të shërbimeve speciale tha se “gjithçka tregon se bëhet fjalë për shërbimet speciale ruse”. Rusia nuk ka reaguar ende publikisht ndaj akuzave.

“Qëllimi ishte të shkaktohej një katastrofë hekurudhore,” tha Tusk.

Kryeministri refuzoi të publikojë emrat e të dyshuarve, duke thënë se kjo do të komplikonte operacionin. Ai sqaroi se njëri prej tyre jeton në Bjellorusi dhe tjetri në Ukrainën lindore. Të dy kishin hyrë në Poloni nga Bjellorusia gjatë vjeshtës dhe më pas janë rikthyer atje përmes pikës kufitare në Terespol, në jugperëndim të Bjellorusisë, pranë kufirit me Ukrainën.

Tusk njoftoi se më 15 nëntor, rreth orës 21:00, një pajisje shpërthyese e tipit C4 me përdorim ushtarak shpërtheu pranë fshatit Mika, duke shkaktuar dëme të vogla në dyshemenë e një vagoni mallrash. Ngjarja u kap nga kamerat e sigurisë, ndërsa drejtuesi i trenit nuk e kishte vënë re shpërthimin. Para kësaj, kishte pasur një tentativë të dështuar për ta nxjerrë trenin nga shinat duke vendosur një kapëse çeliku.

Akti i dytë i sabotimit ndodhi më 17 nëntor dhe përfshiu një tren me 475 pasagjerë që u detyrua të frenonte menjëherë për shkak të dëmtimit të infrastrukturës hekurudhore.

Tusk bëri të ditur se do të urdhërojë rritjen e nivelit të alarmit në disa linja hekurudhore. Ai shtoi se që nga fillimi i vitit të kaluar, 55 persona janë arrestuar për dyshime lidhur me ndihmën, përgatitjen ose kryerjen e akteve sabotimi, dhe 23 prej tyre ndodhen në paraburgim.

Sipas tij, motivimi i Rusisë është përhapja e panikut dhe nxitja e ndjenjave anti-ukrainase në Poloni, një vend që strehohen mbi një milion refugjatë ukrainas.

“Ajo që u intereson autoriteteve ruse nuk është vetëm efekti i drejtpërdrejtë i këtyre veprimeve, por edhe pasojat sociale dhe politike që ato shkaktojnë. Kjo nënkupton çorganizim, kaos, panik, spekulime dhe pasiguri”, tha Tusk.

Polonia, anëtare e NATO-s dhe BE-së, ka një rol kyç në transportin hekurudhor të ndihmave për Ukrainën që prej nisjes së pushtimit rus në shkurt 2022. Në shtator, Tusk deklaroi se tre dronë rusë ishin rrëzuar nga avionë polakë dhe të NATO-s në hapësirën ajrore të Polonisë gjatë sulmeve ndaj Ukrainës.

Ai tha se ishin regjistruar 19 shkelje të hapësirës ajrore me dronë, disa prej të cilave kishin fluturuar aq thellë sa detyruan mbylljen e përkohshme të katër aeroporteve, përfshirë aeroportin kryesor të Varshavës, Chopin. Ministria ruse e mbrojtjes reagoi duke thënë se “nuk kishte plane” për të goditur objektiva në territorin polak.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta