Moti i keq në vend/ Si paraqitet situata në qarqet më problematike, disa familje të evakuuara në Thumanë e Zejmen

18/11/2025 18:44

Reshjet e shiut që kanë përfshirë vendin prej orëve të para të ditës së sotme kanë krijuar problematika në disa zona, ku strukturat e emergjencave civile, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, janë angazhuar për të ndihmuar qytetarët.

Për shkak të pranisë së ujit në banesa, është kryer evakuimi i një familje prej 5 anëtarësh nga ekipet e Forcave të Armatosura në fshatin Dukagjin i Ri, njësia administrative Thumanë.

Në njësinë administrative Zejmen, si pasojë e vërshimit të përrenjve të Prullit dhe Pllanës, ka prani uji në 4 banesa. Banorët janë akomoduar përkohësisht nga strukturat vendore.

Forcat e emergjencave kanë kryer tërheqjen e ujit dhe pastrimin fillestar të ambienteve të prekura.

Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar informacionet në lidhje me situata sipas qarqeve:

Qarku Durrës

Bashkia Durrës:

Vijon puna në terren për eliminimin e pasojave të reshjeve në njësitë Sukth, Katund i Ri dhe Ishëm.

Niveli i ujit në lumenjtë Erzen dhe Ishëm është brenda kuotave normale.

Hidrovorët e Porto Romanos dhe Hamallaj vijojnë punën me kapacitet të plotë.

Qarku Dibër

Situata paraqitet e qetë, përveç mungesës së energjisë elektrike në njësitë Kala e Dodës, Sllovë, Zall Dardhë, Reç, Lurë dhe pjesërisht në Arras e Fushë Çidhën.

Grupet e OSHEE po punojnë për riparimin e defekteve.

Qarku Lezhë

Bashkia Kurbin:

Vijon puna për normalizimin e situatës në Mamurras dhe fshatrat Gjorëm, Zhejë dhe Fushë Mamurras.

Në fshatin Shpërdhe, rruga është dëmtuar nga ujërat e lumit Droje.

Puna vijon edhe në segmentin Skuraj–Gallatë–Vinjollë, i cili mbetet i bllokuar për shkak të dëmtimit të urës mbi lumin Vinjollë.

Nivelet e ujit në lumenjtë Drin dhe Mat janë brenda kuotave.

Qarku Kukës

Ka rënie inertesh në disa akse rrugore, dhe kompanitë kontraktore po punojnë për pastrimin e tyre.

Segmenti Vranisht–Fajza (njësia Fajza, bashkia Has) është dëmtuar si pasojë e reshjeve.

Qarku Shkodër

Bashkia Shkodër:

Vijon pastrimi i inerteve në segmentin Gimaj–Bregu i Lumit (njësia Shalë) nga trupat e FA dhe punonjësit bashkiakë.

Segmenti Ndërlysë–Breg Lumi mbetet i bllokuar; po punohet për hapjen e tij.

Qarku Elbasan

Nuk ka raportime për problematika, përveç rënies së inerteve në segmentet Elbasan–Librazhd dhe Elbasan–Rrogozhinë, të cilat po pastrohen nga operatorët e mirëmbajtjes.

SITUATA ENERGJETIKE

Ekipet e OSHEE po punojnë për rikthimin e energjisë në:

disa fshatra të njësisë administrative Rubik (Mirditë),

fshatrat Torocish, Kukës, Berishë dhe Lekbibaj të Tropojës,

njësitë Kurvelesh, Zagori, Luftinjë dhe Dropull i Poshtëm (Qarku Gjirokastër),

disa njësi administrative të Qarkut Korçë.

Në qarqet e tjera të vendit nuk raportohen problematika.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta