Kombëtarja italiane synon t’i japë fund makthit të mungesës në Kupën e Botës, pas dështimeve të njëpasnjëshme që nga kualifikimi i fundit në Brazil 2014.

Teksa skuadra aktuale e drejtuar nga Gattuso po mundohet të rigjejë identitetin, shumë prej emrave të asaj periudhe kanë marrë drejtime krejt të ndryshme në karrierat e tyre.

Legjenda Gianluigi Buffon tani është pjesë e delegacionit të Federatës, ndërsa Sirigu, pas aventurës së fundit te Palermo, është aktualisht agjent i lirë. Mattia Perin vazhdon të jetë pjesë e Juventusit.

Në repartin defensiv, Paletta është tërhequr nga futbolli dhe mban licencën UEFA B si trajner. Bonucci dhe Barzagli janë integruar në stafin e kombëtares—i pari si asistent teknik i ekipit të parë, i dyti në U21—ndërsa Abate drejton Juve Stabia. Darmian mbetet futbollist te Interi, kurse De Sciglio është ende pa ekip pas periudhës së fundit te Empoli. Chiellini, nga ana tjetër, ka një rol kyç drejtues te Juventusi.

Në mesfushë, Marco Verratti luan me Al-Duhail, ndërsa De Rossi ka marrë drejtimin e Genoas. Parolo dhe Marchisio janë zhvendosur në media, me këtë të fundit që mban edhe post drejtues në Kings League Itali. Pirlo është ulur në stolin e United Football Club, ndërsa Aquilani drejton Catanzaron. Thiago Motta është aktualisht trajner i lirë pas largimit nga Juventusi.

Edhe në repartin ofensiv ndryshimet janë të mëdha: Candreva është pjesë e stafit të Italisë U15, Balotelli dhe Insigne janë pa klub pas aventurave të fundit te Genoa dhe Toronto, ndërsa Immobile është bërë pjesë e sulmit të Bolonjës. Antonio Cassano vazhdon karrierën si opinionist, ndërsa Alessio Cerci ka përfunduar ciklin e trajnerit UEFA A.

Sa i përket trajnerit të asaj Italie, Cesare Prandelli mbetet i lirë, pas eksperiencës së fundit në stolin e Fiorentinës.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta