Harry Kane pas ndeshjes mes Shqipërinë: Një nga ndeshjet më të vështira tonat…
Ish-kapiteni i Manchester United, Roy Keane, ka kritikuar mesfushorin e ri anglez Adam Wharton, duke e cilësuar si “pak të butë” pas paraqitjes së tij ndaj Shqipërisë në Tiranë.
Anglia mbylli me fitore 2-0 fushatën e kualifikueseve të Botërorit, duke e çuar në tetë fitore nga tetë ndeshje, pa pësuar asnjë gol. Protagonist i sfidës ishte Harry Kane, i cili shënoi një dopietë në fundin e takimit, duke vulosur suksesin e skuadrës së drejtuar nga Thomas Tuchel.
Keane: “Wharton ka cilësi, por duhet të jetë më kërkues”
Adam Wharton, 21 vjeç, realizoi startin e tij të parë me fanellën e Anglisë, përpara se të zëvendësohej në minutën e 75-të nga Elliot Anderson. Megjithatë, paraqitja e tij nuk e bindi Roy Keane.
Mesfushori i Crystal Palace ishte një nga dy lojtarët e Anglisë të ndëshkuar me karton të verdhë, së bashku me Jude Bellingham, teksa përpiqej të linte përshtypje të mirë në sytë e Tuchel, përballë konkurrencës së fortë me Declan Rice dhe Anderson.
Keane, duke folur në ITV, tha se Wharton ka potencial të madh, por duhet të tregojë më shumë personalitet në fushë.
“Më pëlqen Adam Wharton, por mendoj se është pak i butë,” tha Keane.
“Ka shumë cilësi, por duhet të imponohet më shumë ndaj shokëve të skuadrës dhe të jetë më kërkues. Është koha të forcohet.”
Anglia e pakalueshme, Shqipëria luftoi por nuk mjaftoi
Fitorja 2-0 në “Arenën Kombëtare” e mbyll një cikël të shkëlqyer për “Tre Luanët”, ndërsa Shqipëria, që kishte siguruar tashmë play off-in, dha një paraqitje dinjitoze përballë kryesuesve të grupit.
Wharton pritet të luftojë për minuta në ndeshjet e ardhshme, ndërsa debati për rolin e tij në mesfushë pritet të mbetet temë diskutimi, sidomos pas kritikave të Keane.
Top Channel