Marco Materazzi dhe Botërori 2006: Pa penalltinë e Tottit nuk do të mund të kthehesha në Itali…
Një studente 24-vjeçare nga Norvegjia, që jeton në Milano, ka raportuar një sulm seksual të ndodhur në tualetet e stadiumit “San Siro” gjatë ndeshjes Itali–Norvegji.
Sipas raportimit të Corriere della Sera, ngjarja ka ndodhur pasi e reja ishte larguar për pak çaste nga shoqet e saj, pasi ishte ndjerë keq.
Vajza, e tronditur dhe me lot në sy, ka thënë se është prekur nga një pastruese brenda tualeteve të stadiumit. E dyshuara është një 25-vjeçare me origjinë egjiptiane, me qëndrim të rregullt në Itali dhe e punësuar nga kompania që mirëmban ambientet e stadiumit. Ajo u shoqërua menjëherë në komisariatin brenda arenës sportive dhe aktualisht është nën hetim për sulm seksual.
Sipas denoncimit, studentja hyri vetëm në tualet, ndërsa shoqja e saj priste jashtë. Ajo ka deklaruar se ndjeu një dorë që i rrëshqiti në pantallona dhe, kur u kthye, pa pastruesen, e cila më pas u largua. E reja kërkoi ndihmë te rojet e sigurisë, të cilët identifikuan të dyshuarën disa minuta më vonë dhe e shoqëruan në stacionin e policisë së stadiumit “Meazza”.
Pastruesja, gjatë dëshmisë së dhënë para oficerëve të Skuadrës Fluturuese, ka mohuar akuzat, duke deklaruar se ndodhej në tualetet e grave për shkak të detyrës dhe se iu afrua vajzës vetëm për të kontrolluar gjendjen e saj, pasi e kishte parë të shqetësuar. Ajo nuk ka precedentë penalë.
Prokuroria e Milanos ka hapur një hetim për akuzën e sulmit seksual. Autoritetet po mbledhin dëshmi dhe po verifikojnë lëvizjet e të dyshuarës dhe rrethanat e plota të ngjarjes. Ndërsa hetimi vijon, pozicioni i 25-vjeçares do të vlerësohet në bazë të provave që do të dalin.
Top Channel