Policia vendore e Shkodrës ka identifikuar dhe vënë në pranga autorët e ngjarjes së mbrëmshme, ku 42-vjeçari Edison Tirana u qëllua me armë zjarri dhe më pas u dhunua me sende të forta.
Lidhur me ngjarjen u arrestuan dy vëllezërit Gjovalin Gjekaj dhe Pëllumb Gjekaj, banues në fshatin Pjetroshan të Malësisë së Madhe, ndërsa nipi i tyre është shpallur në kërkim.
Sipas Policisë, konfliktit mes palëve i ka paraprirë një debat qe ka nisur që në doganën e Hanit të Hotit. Më pas, në afërsi të rrethrrotullimit të Koplikut, dy vëllezërit Gjekaj dyshohet se kanë qëlluar me pistoletë drejt automjetit “Mercedes Benz” me të cilin udhëtonte Edison Tirana, 42 vjeç, nga fshati Trush i njësisë Bërdicë.
Të shtënat kanë goditur edhe gomat e automjetit, duke bërë që 42-vjeçari të humbasë kontrollin dhe të përplaset me bordurën e një karburanti. Pas aksidentit, Tirana ka dalë nga mjeti dhe është futur në një parcelë aty pranë në përpjekje për të shpëtuar.
Dy autorët e dyshuar, së bashku me nipin e tyre, e kanë ndjekur dhe pasi e kanë gjetur, e kanë goditur me sende të forta, duke i shkaktuar plagë në trup.
Rreth orës 19:30, Edison Tirana është paraqitur në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku mori ndihmën e parë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ai ka dhënë dëshminë e tij në polici, duke shpjeguar se konflikti nisi për një parakalim në pikën doganore të Hanit të Hotit.
Top Channel