“Krenar që jam trajner i Kombëtares shqiptare”, Sylvinho: Tuchel? Shpresoj mos të flas me të nesër, ka një ekip fantastik

15/11/2025 16:12

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, u shpreh në konferencën përpara ndeshjes me Anglinë se është krenar që është trajneri i ekipit kuqezi dhe se ndihet si në shtëpi.

Ai gjithashtu u ndal edhe te performanca e Brojës, duke thënë se ndodh që sulmuesi të mos ketë gjithmonë ditë të mira.

“Jam shumë i lumtur. E kam thënë që në fillim që jam trajner i kësaj kombëtareje. Kur vjen në fillim kur s’di gjuhën dhe kulturën, prapë jam ndjerë si në shtëpi. Kemi bërë një punë të mirë. Jam krenar për gjithë lojtarët e mi dhe besoj se nesër do të bëjmë mirë.

Në fakt Broja ka bërë mirë në disa ndeshje. Me Serbinë kishte një performancë shumë të mirë. Disa lojtarë ekuilibrojnë skuadrën. Nuk fokusohemi vetëm te një lojtar, por te i gjithë ekipi. Ai është një nga lojtarët që ne kemi. Nëse ndodh që një lojtar tjetër mund të bëjë një pozicion të caktuar, do e provojmë. Uzuni për shembull mund të luajë në të djathtë. Mund të mos kesh një ndeshje të mirë dhe dikush tjetër luan.

Anglia nuk pëson gola sepse është shumë e fortë dhe ka një trajner të madh. Kur lojtarët kthehen dhe kontrollojnë topin, bëjnë një ndeshje shumë të mirë. Unë e thashë dhe më përpara, ata janë një nga ekipet favorite për të fituar Botërorin. Kam parë edhe ndeshje të tjera të tyre. Nëse do të shënonim kundër tyre, sigurisht që do të isha i lumtur. Broja u mërzit kur u zëvendësua. Kam folur me lojtarin dhe me grupin, çështja u zgjidh dhe nuk ka asnjë problem.

Mendoj se Anglia është më e fortë, sepse për Tuchel ishte ndeshja e parë ajo në Wembley. Shpresoj mos të flas me të nesër (qesh). Mendoj se janë më të fortë se 6 muaj më parë. Numrat janë të frikshëm. Por jam i lumtur që do të luajmë kundër një prej skuadrave më të forta. Në 90 minuta shumë gjëra mund të ndodhin në futboll.

Kur isha më i ri, nuk e mendoja të bëhesha trajner. Kur takova njëherë Mancinin, më tha: ‘A do të jesh pjesë e stafit tim’. Është një punë që unë e shijoj shumë. Të luash futboll është ndjenjë shumë e bukur dhe mendon pak më shumë për veten tënde. Tani duhet të mendoj për 11 lojtarë.

Disa lojtarë rrezikojnë prej kartonëve, e vërtetë. Do të kryejmë stërvitjen e fundit dhe do të shohim. Pas pak kemi një stërvitje të shkurtër dhe do të vendosim nesër. Duhet të mendojmë edhe për marsin. Në fakt nuk më duket shumë rregull i drejtë. Do të flas me stafin dhe nesër do të marrim një vendim”, tha Sylvinho.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta