“Unë paguaj lojtarët, ata dëmtohen me kombëtaret”/ ‘Shpërthen’ De Laurentiis: Ata janë punonjësit e mi, nuk mund të vazhdohet kështu

14/11/2025 22:11

Napoli po përballet me një tjetër valë dëmtimesh gjatë pushimit të kombëtareve, duke ndezur sërish polemika mbi ngarkesën dhe menaxhimin e futbollistëve në arenën ndërkombëtare.

Pas problemeve të Milanit në tetor dhe mungesave të mëparshme të Rrahmanit, këtë herë është mesfushori André-Frank Zambo Anguissa ai që është kthyer i dëmtuar, duke krijuar shqetësim të madh te skuadra e Antonio Contes.

Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, reagoi ashpër, duke kritikuar hapur mënyrën se si trajtohen futbollistët gjatë grumbullimeve me kombëtaret.

“Herët a vonë, do t’i gjej të gjithë lojtarët e mi të thyer,” u shpreh numri një i klubit. “Rrahmani u kthye nga kombëtarja i dëmtuar, dhe tani Anguissa gjithashtu. Nuk mund të vazhdojmë kështu. Unë i paguaj lojtarët, ata janë punonjësit e mi, dhe më pas kthehen të dëmtuar. Klubet duhet të kenë më shumë fjalë, të ulet numri i ndeshjeve dhe të përqendrohen impenjimet ndërkombëtare në një periudhë të vetme.”

De Laurentiis riktheu edhe një herë idenë e tij të kahershme: kompensim të detyrueshëm për klubet dhe krijimin e një “afati kalimtar special” për të zëvendësuar lojtarët e dëmtuar gjatë detyrave me ekipet kombëtare.

Ai akuzoi edhe institucionet më të larta të futbollit global për mungesë fleksibiliteti dhe reformash.

“FIGC, UEFA dhe FIFA janë sisteme të palëvizshme. Askush nuk pranon të lëvizë nga pozitat e veta. Ata duan të kontrollojnë gjithçka, ndërsa klubeve u mbetet shumë pak,” përfundoi presidenti i Napolit.

Situata e fundit ka rindezur debatin e madh mes klubeve dhe institucioneve drejtuese të futbollit për kalendarin e ndeshjeve dhe mbingarkesën që po çon çdo vit në dëmtime të shumta te lojtarët kryesorë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta