Shpresë vetëm në letër? Llogaritë e çmendura që i duhen Italisë për të kaluar Norvegjinë pa ‘playoff’

14/11/2025 23:53
Screenshot

A ka ende shpresë që Italia të shkojë direkt në Botërorin 2026 pa kaluar nga “playoff”-et?

Matematikisht, po. Realisht… duhet një mrekulli futbollistike.

Fitorja 4-1 e Norvegjisë ndaj Estonisë i ka dhënë edhe më shumë avantazh skuadrës së Haaland-it, por suksesi i të kaltërve në Moldavi mban gjallë një fije shprese. Me një ndeshje të mbetur, Norvegjia kryeson me 21 pikë, Italia ndjek me 18. Ajo që bën diferencën është golavarazhi: +29 për skandinavët kundrejt +12 të italianëve.

Një kundërshtar “makineri goli”

Norvegjia ka treguar formën më të mirë mes 54 kombëtareve europiane: 33 gola të shënuar, vetëm 4 të pësuar dhe një mesatare prej 4.7 golash për ndeshje. Haaland kryeson me 14 gola, ndërsa Aasgaard dhe Sørloth me nga 5. Pas tyre vijnë Ajer, Donnum, Myhre, Wolfe, Nusa, Odegaard e Ryerson – të gjithë me gol në këtë fushatë.

Këto statistika kanë zbehur edhe serinë prej gjashtë fitoreve radhazi të Italisë pas humbjes në Oslo. Ekipi i Gattusos ka ringjallur moralin, por hendeku mbetet i madh: të kaltërve u nevojitet një superperformancë e papërsëritshme.

Llogaritë janë të pamëshirshme: duhet 9-0

Rregullorja është e qartë: nëse dy skuadra barazojnë në pikë, vendos golavarazhi. Për të kapur dhe kaluar Norvegjinë, Italia duhet të fitojë me të paktën nëntë gola diferencë – vetëm kështu do të shkonte në +21, kundrejt +20 të rivalëve. Përkthyer thjesht: duhet një 9-0.

Kundër një kundërshtari që ka pësuar vetëm katër gola në gjithë eliminatoret.

Një skenar jashtë çdo logjike. Në historinë e ndeshjeve vendimtare për një Botëror, diçka e tillë nuk është parë kurrë. Edhe pse futbolli ka pasur rezultatet e veta të çmendura: 9-0 i Hungarisë ndaj Koresë së Jugut më 1954, 9-0 i Jugosllavisë ndaj Zaires më 1974, apo legjendari 12-1 i Spanjës kundër Maltës në 1983. Po ashtu, 6-0 i Argjentinës kundër Perusë në 1978 mbetet një nga përmbysjet më ikonike.

Shpresa ekziston vetëm në letër. Në fushë, Italia e Gattusos ka përballë një mur statistikor, fizik e historik. Për t’iu shmangur “playoff”-eve duhet një mrekulli që futbolli modern pothuajse nuk e njeh – por topi është i rrumbullakët, dhe deri në vërshëllimën e fundit gjithçka mbetet e hapur.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta