“Disa përmendën emrin e Mourinhos”/ Presidenti i Interit flet për zgjedhjen e Chivus në stolin zikaltër: Ishte i duhuri për të zëvendësuar Inzaghin

14/11/2025 17:06

Presidenti i Interit, Beppe Marotta, ka mbajtur një ligjëratë para studentëve të Masterit në Menaxhim Sportiv të RCS Academy, ku ndau reflektime të gjera mbi karrierën e tij dhe sfidat aktuale të klubit zikaltër.

Ai foli gjatë mbi vendimin për të emëruar Cristian Chivun trajner në vend të Inzaghit, duke theksuar se zgjedhja ishte plotësisht e menduar.

“Jam i habitur që njerëzit u habitën nga aftësia e Cristianit,” u shpreh Marotta. “E zgjodhëm sepse përfaqëson vlera të rëndësishme dhe pati guximin të shkonte kundër rrymës. Disa madje përmendën Mourinhon… Por nëse nuk do të kisha pasur guximin, do të isha penduar.”

Marotta u ndal edhe te krahasimi mes modelit të Interit dhe atij të PSG-së, duke vënë në dukje transformimin e klubit francez: “Nuk është më ekuacioni ‘sa më shumë shpenzime, aq më shumë fitore’. Duhet motivim dhe kompetencë. Ata ndryshuan filozofi duke investuar te talentet e reja, jo te emrat e mëdhenj.”

Rrënjët e karrierës dhe kulmi te Juventusi

Gjatë fjalës së tij, presidenti rikujtoi fillimet e karrierës, që nisën në moshë shumë të re në Varese, ku ai përjetoi nga afër botën e futbollit: “Isha 6 a 7 vjeç dhe shikoja stërvitjet. Aty mësova të negocioja, duke shkëmbyer punë të vogla me pajisje stërvitore.” Në moshën 19-vjeçare, ai ishte tashmë drejtor i sektorit të të rinjve.

Sipas tij, pika kulmore erdhi me kalimin nga Sampdoria te Juventusi: “Te Juventusi arrita kulmin tim profesional. Isha thuajse 60 vjeç dhe në kontroll të plotë të aftësive të mia.”

Ai solli ndër mend edhe ndryshimet e mëdha të industrisë së sportit gjatë dekadave, duke theksuar se sot qëndrueshmëria financiare është po aq e rëndësishme sa arritjet sportive: “Modeli i patronazhit nuk ekziston më. Sporti nuk mund të mbijetojë pa bilanc të shëndoshë financiar.”

Nga Varese në Sampdoria – vendimet e vështira

Marotta rrëfeu momentet e rëndësishme të karrierës, përfshirë largimin nga Monza, Como, Ravenna, Venezia dhe kalimin te Sampdoria në vitin 2002: “Më tundoi ideja për ta rikthyer klubin në elitë. E pranova ofertën me guxim, edhe pse zbrita një kategori më poshtë.”

San Siro – mes nostalgjisë dhe së ardhmes

Presidenti i Interit komentoi edhe çështjen e stadiumit San Siro, duke e cilësuar atë një simbol emocionesh, por të pamjaftueshëm për standardet e sotme:

“Për romantikët është e dhimbshme të mendosh për prishjen e San Siros, por inovacioni kërkon detyrimisht kushte moderne: siguri, mikpritje dhe jetëgjatësi. Stadiumi i ri do të sjellë përfitime të mëdha ekonomike e shoqërore.”

Ai shtoi se klubet italiane janë shumë prapa modeleve evropiane: “Ne fitojmë 80 milionë euro në vit nga ditët e ndeshjeve, ndërsa objektivi i Real Madridit është të kapërcejë gjysmën e miliardit. Modernizimi është i pashmangshëm.”

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta