Fitorja me Andorrën, dëshpërimi i Brojës pas ndeshjes tërheq vëmendjen e prestigjiozes britanike: Sulmuesi në shok, shpërthen në lot dhe…

14/11/2025 21:43

Fitorja 1–0 e Shqipërisë në Andorra, e cila i siguroi Kombëtares vendin në play-off të Kupës së Botës, ka sjellë jo vetëm festë, por edhe momente të tensionuara për sulmuesin Armando Broja.

Mediat britanike, përfshirë “The Sun”, kanë vënë theksin tek gjendja emocionale e futbollistit, i cili u pa i përlotur pas ndeshjes, duke shkruar: “Sulmuesi në shok! Ish-ylli i Chelseat, Armando Broja, shpërthen në lot dhe ngushëllohet nga shoku i ekipit pas fitores së madhe të Shqipërisë”.

Broja u ul i dëshpëruar në pankinë pasi u zëvendësua para 60 minutave, në një moment kur ndeshja ishte ende pa gola. Pas fitores, sulmuesi nuk iu bashkua festës së ekipit, duke qenë lojtari i vetëm që qëndroi mënjanë.

Në fushë, Elseid Hysaj u afrua për ta mbështetur, ndërsa më pas u përpoqën ta ngushëllonin edhe drejtues të FSHF-së, përfshirë nënkryetarin Lutfi Nuri.

Broja, 24 vjeç, i cili këtë verë iu bashkua Burnley-t për 20 milionë paund, nuk ka arritur ende të shënojë në shtatë paraqitje me klubin anglez. “The Sun” rikujton edhe karrierën e tij në akademinë e Chelseat, 16 vitet në Londër dhe huazimet e shumta para largimit drejt Premier League.

Pavarësisht emocioneve personale, Broja është pjesë e një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e futbollit shqiptar, teksa Kombëtarja kërkon të shkruajë historinë në kualifikueset drejt Botërorit 2026.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta