Trump zhytet më thellë në skandalin Epstein/ Email-et e reja ‘ndezin’ furtunë politike në Uashington

13/11/2025 12:50

Presidenti amerikan Donald Trump po përballet me një stuhi të re politike pas publikimit të disa email-eve që përmendin emrin e tij në lidhje me Jeffrey Epstein, miliarderin e ndjerë të dënuar për trafik seksual.

Dokumentet, të publikuara nga Komiteti i Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve, kanë rindezur debatin mbi lidhjet e mundshme mes Trump dhe Epstein, duke hedhur hije mbi Shtëpinë e Bardhë.

Në disa prej email-eve, Epstein dhe bashkëpunëtorja e tij Ghislaine Maxwell flasin për Trump, ndërsa në një prej tyre, Epstein shkruan: “Ai qeni që s’ka lehur është Trump”, duke nënkuptuar se presidenti ishte përfshirë në rrethin e tij shoqëror.

Megjithëse nuk ka prova për përfshirje kriminale nga ana e presidentit, përmbajtja e dokumenteve ka krijuar një tjetër krizë politike në Uashington. Shtëpia e Bardhë e ka quajtur publikimin e materialeve “përdorim politik pa asnjë bazë ligjore”, ndërsa sekretarja për shtyp, Karoline Leavitt, deklaroi se “Presidenti Trump nuk ka bërë asgjë të gabuar.”

Demokratët kërkojnë që të publikohen të gjitha dosjet e rastit Epstein, përfshirë edhe ato që mund të përmendin ish-aleatë politikë të presidentit. Nga ana tjetër, republikanët janë të ndarë, pasi disa prej tyre kanë nënshkruar një peticion për të detyruar Departamentin e Drejtësisë të bëjë publike dokumentet.

Sipas CNN, një takim i pazakontë në Sallën e Situatave të Shtëpisë së Bardhë me pjesëmarrjen e Prokurores së Përgjithshme Pam Bondi dhe disa zyrtarëve të lartë ka ngritur dyshime për një përpjekje për të penguar publikimin e dosjeve.

Ndërkohë, presioni politik ndaj Trump po rritet. Deputetja republikane Nancy Mace u shpreh se nuk do të tërheqë nënshkrimin nga peticioni, duke theksuar: “Nuk do t’i kthej shpinën viktimave. Duhet transparencë e plotë.”

Skandali Epstein po shndërrohet në një plagë të hapur për administratën Trump, duke rikthyer në qendër të vëmendjes pyetjet për transparencën, moralin dhe ndikimin politik të presidentit në prag të një periudhe të re të trazuar në Uashington.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta