Në skenën artistike të qytetit të Gjirokastrës trupa e teatrit “Zihni Sako” shfaqi për spektatorët komedinë italiane “E martuar me një të panjohur”.
Me regji të Aleksandër Kondit kjo pjesë prezanton situata komike dhe keqkuptime të cilat përcillen plot të qeshura nga spektatorët.
“Ishte një publik shumë i ngrohtë, më fali shumë të qeshura kështu që uroj dhe shpresoj që teatri i Gjirokastrës të bëjë bashkëpunime të tjera,të thërrasë aktorë dhe regjisorë sepse i bëjnë mirë trupës, i japin eksperiencë por edhe teatrit, qytetit”, tha aktorja Delinda Disha.
“Ne jemi të mbushur plot me emocionet që na ka dhuruar publiku dhe jemi të bindur që e kanë shijuar,kanë qeshur pa fund”, u shpreh aktorja Lejda Çeli.
“Pashë një sallë plot, mendoj se shfaqja shkoi shumë mirë,aktorët ishin në nivelin e duhur,publiku e përtypi në mënyrë të mrekullueshme shfaqjen, u bë pjesë e shfaqjes dhe të gjitha të qeshurat dhe duartrokitjet janë një kënaqësi për ne aktorët të motivojnë kur ti je në skenë dhe kupton që shfaqja ndiqet nga publiku”, tha regjisori Aleksandër Kondi.
Përgjatë sezonit artistik të vjeshtës në skenën e teatrit të Gjirokastrës kanë interpretuar trupa të ndryshme të cilat janë vlerësuar me duartrokitje nga spektatorët.
Top Channel