Nga Endi Tufa

Në historinë e futbollit ka kapituj që përsëriten. Jo nga rastësia, por nga drejtësia sportive. Dhjetë vjet pas asaj fushate magjike të Europianit 2016, Shqipëria e mbyll sërish një edicion të madh kualifikues duke lënë Serbinë pas vetes. Atëherë, ishte kualifikimi ynë i parë në një turne kontinental; sot, është hyrja jonë për herë të parë në play-off-in e një Botërori.

Në vitin 2016, Shqipëria renditej në vend të dytë në grup me 14 pikë, pas Portugalisë dhe para Danimarkës, Serbisë dhe Armenisë. Serbia përfundoi atë fushatë me vetëm 4 pikë — dhe Shqipëria, me qetësinë e një skuadre që po rritej, firmosi kapitullin e parë historik në futbollin modern shqiptar. Ishte tronditje për kontinentin, por jo për ne. Ne e dinim se kishim lindur për më shumë.

Dhjetë vjet më vonë, kur fati na gjeti sërish në gara paralele, historia përsëriti strukturën por ndryshoi përmasën. Shqipëria mbyll kualifikueset e Botërorit 2026 në vendin e dytë, duke mposhtur Andorrën dhe duke parë Anglinë të bëjë detyrën ndaj Serbisë. Kuqezinjtë shkojnë kështu në play-off, në një fazë ku nuk ka qenë kurrë më parë. Serbia, sërish, mbetet në vendin e tretë, jashtë asaj zone që Shqipëria e fitoi me punë, me karakter dhe me një stabilitet që prej vitesh mungonte.

Ky nuk është një rast i izoluar. Nuk është episod sportiv. Nuk është surprizë. Ky është ritmi i një kombëtareje që ka ndryshuar mentalitetin e saj, që ka mësuar të ndërtojë prej bazës dhe jo prej rastit, dhe që sot luan futboll me qetësinë e një ekipi që e di se i përket niveleve të larta. Shqipëria e Sylvinhos nuk vrapon pas emrave të mëdhenj; ajo luan lojën e saj dhe fiton ndeshjet që i takojnë t’i fitojë — si një ekip i rritur. Fitorja me Andorrën ishte detyrë profesionale. Por më shumë sesa tri pikë, ajo erdhi si pika e fundit e një sezoni që na dhuroi diçka të papërjetuar më parë: shansin real për një Botëror. Fitorja e Anglisë ndaj Serbisë në Londër mbylli llogaritë dhe vulosi matematikën: Shqipëria përfundon e dyta, Serbia e treta. Ashtu si atëherë në 2016. Ashtu si atëherë, me qetësi. Ashtu si atëherë, me meritë.

Në një dekadë, Shqipëria nuk ka ecur me rastësi. Ajo ka ecur me kurajë, me breza të rinj lojtarësh, me profesionalizëm, me investime dhe me një kulturë të re të të luajturit. Ne kemi pritur gjatë për sukseset tona, por kur ato mbërrijnë, vijnë si seri, jo si përjashtim. Play-off-i i Botërorit nuk është thjesht një fazë gare. Është prova se futbolli shqiptar nuk është më thjesht një histori e bukur, por një realitet i merituar. Prova se kapitulli i 2016-s nuk ishte fat, por fillimi i një rruge. Prova se sot, më shumë se kurrë, Shqipëria nuk është më e vogla që duhet të shpresojë tek gabimet e të mëdhenjve, por ekipi që i detyron të tjerët të shpresojnë tek gabimet tona.

Dhe mbi të gjitha, është prova se edhe kur nuk e kemi pasur synim primar, edhe kur nuk ka qenë rivaliteti ynë kryesor, Serbia mbetet pas. Në fushë, në tabelë, në pjekuri futbolli. Dhjetë vjet më pas, Shqipëria nuk po përsërit historinë, Shqipëria po e vazhdon atë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta