‘Poema e Mungesës’ ka lindur pesë vite më parë në kokën time dhe e mbaj gjallë…”
Rita Petro ka hedhur në vargje ndjesitë e saj për mungesën dhe vetminë. Në veprën e fundit të poetes, koncepti i vetmisë zbërthehet në të gjitha dimensionet.
“Në raportin e të qenit vetëm, atë boshllëk, por nga ana tjetër, është bosh apo është tepër. E kam parë vetminë edhe si refleks brenda vetes, e kam parë si paqe”, shprehet Petro.
Nga prologu për dashurinë, poema e shtratit gjysmëmosh apo poema e shpirtit dhe trupit, kjo vepër vjen si një roman në vargje, ku çdo krijim është emocion i përjetuar nga vetë poetja.
“Humbjet e dashurive të mëdha lenë gjurmët e veta. Unë e nisa si rrëke poemën, ajo u bë lumë, vura re që u degëzua shumë dhe kur mbaroi, u fut në det. Humba se çdo gjë që ishte imja personale zgjerohej dhe më dilnin shumë tema“, thotë shkrimtarja.
Por poetja shkon më tej duke tejkaluar rrafshin personl dhe duke ftuar lexuesin në një bshkëbisedim për lirinë, vdekjen, bukurinë natyrale e artificiale, forcën e pushtetit.
“Kam dashur ta kapërcej personalen, për të sjellë atë mungesë që ndiej unë dhe që e ndjejnë edhe njerëzit e tjerë”, deklaroi Rita Petro.
Poema e Rita Petros nuk përpiqet të zbukurojë asgjë, nuk ka metafora të tepërta, por përjetime të sinqerta që të çojnë në reflektim.
Top Channel