Një Bibël e re për shqiptarët/ “Besëlidhja e re Interlineare” bazohet në gjuhët origjinale

12/11/2025 12:23

Për herë të parë lexuesi shqiptar do të ketë në dorë një Bibël të bazuar plotësisht nga gjuhët origjinale, aramaishtja, hebraishtja dhe greqishtja.

“Besëlidhja e re Interlineare”, Bibla Pro vjen me një botim dygjuhësh, ku krah për krah tekstit greqisht, vendoset ai shqip, si kurorëzim i punës disa-vjeçare të përkthyesve, teologëve dhe gjuhëtarëve ungjillorë, me drejtues pastor Arben Pango.

Një përkthim i pastër, i rrjedhshëm, i përshtatshëm, për lexim dhe predikim të përditshëm. As gjë nuk është fshehur, fjala e Zotit bëhet e kuptueshme. Një version që do ta kishin zili shumë gjuhë të tjera“, u shpreh pastori Arben Pango.

Qëllimi i këtij projekti është të ofrojë qartësi, saktësi dhe transparencë në përkthimin e tekstit biblik, duke ruajtur me besnikëri gjuhët origjinale, për ta bërë tekstin më të kuptueshëm për studiuesit dhe lexuesit shqiptarë.

Në aktivitetin e promovimit morën pjesë gjuhëtarë, studiues, teologë, pastorë dhe përkthyes, të cilët argumentuan vlerat e këtij botimi të ri të Biblës.

“Ky lloj përkthimi synon qartë një shkallë të lartë besnikërie gjuhësore dhe shkencore ndaj tekstit origjinal”, tha Anila Kananaj nga Insituti i Gjuhësisë dhe i letërsisë.

Ky përkthim është risi për studimet biblike dhe gjuhësore në vendin tonë.

“Varianti interlinear përbën një mjet të rëndësishëm më së pari për studiuesit e Biblës, por edhe për predikuesit dhe studiuesit e letërsisë shqipe”, tha pastori Meriton Cungu.

Drejtuesi i projekti, pastor Arben Pango, thekson rëndësinë e vazhdimësisë së përkthimit, i cili do të vijojë me pjesën tjetër të Shkrimit të Shenjtë, Besëlidhjen e Vjetër, nga gjuhët origjinale.

Besëlidhja e Re me përkthim interlinear në shqip do të ketë kontaktin e parë me lexuesin në Panairin e Librit, që  nis edicionin e 28-të këtë të mërkurë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta