“Fillimet” e ka titulluar publicisti Preç Zogaj veprën e tij që përshkruan një nga momentet më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë, rrëzimin e diktaturës dhe lejimin e pluralizmit.
Si dëshmitar i rreshtit të parë, në veprën që vjen e ribotuar pas 10 vitesh, autori rrëfen Lëvizjen e Dhjetorit, që e cilëson ngjarjen më të rëndësishme për vendin pas shpalljes së pavarësisë.
“Fillimet janë ngjarje, në të cilat u plazmua ajo që ndodhi pas vitit 1990 dhe deri më sot. Kushdo që e lexon librin tim, e kupton që këto fillime nuk kanë mbaruar kurrë. Ky nuk është një lajm i mirë”, u shpreh Zogaj.
Herë si protagonist e herë si dëshmitar, Preç Zogaj raporton me objektivitet ngjarjet e stuhishme të viteve ’90, duke nisur me rrëzimin e bustit të Stalinit në Shkodër dhe ndalet veçanërisht te themelimi i Partisë Demokratike.
“Mendoj se momenti i shpalljes së Partisë Demokratike ka qenë një moment mençurie sepse Ramiz Alia, presidenti i kohës, në takimin me studentët, ku u pranua sistemi shumëpartiak, u kërkoi studentëve që të krijonin një parti studentësh dhe ne që sihin një grup thamë që një parti tjetër studentësh është pa kuptim. Dhe u vendos të krijohej Partia Demokratike”, tha Preç Zogaj.
Ish-themeluesi i PD zbardh prapaskenat e luftës së brendshme që shënjoi këtë parti.
“Pasi ndodhi ky spastrimi dora dorës brenda PD, u ndryshua edhe statuti. Statutin e ndërtuan si një kostum për përjetësi. Të gjitha i ka provuar… përveç rotacionit të elitës. Ky është problemi te PD, që i ka munguar dhe i mungon heroi që ikën.
Pluralizmi nuk lindi aq i shëndetshëm, pluralizmi ka qenë dukshëm i simuluar. Prandaj ka shumë konflikt, sepse kur është i simuluar, palët bëjnë teatër sikur janë kundër njëri-tjetrit”, tha ai.
Në një takim me studentët e shkencave politike në Universitetin Europian të Tiranës, publicisti theksoi nevojën për reformë të klasës politike.
“Mendoj se duhet të krijohet hapësira me mendje, me ide, me oratori, me qartësi dhe me rini. Rinia duhet të bëjë diçka”, përfundoi Zogaj.
Pas promovimit, libri me dëshmi, refleksione dhe dokumente origjinale të periudhës 1990–1992 vjen për lexuesit në Panairin e 28-të të Librit.
Top Channel