Shkarkime dhe dëmshpërblime, trajnerët në Premier League kanë kushtuar rreth 50 mln paundë
Sulmuesi i Chelseat, Raheem Sterling, është bërë sërish shënjestër e grabitësve, teksa persona të maskuar tentuan të hynin në shtëpinë e tij në Berkshire të shtunën mbrëma, ndërsa futbollisti dhe familja e tij ndodheshin brenda.
Sipas The Telegraph, incidenti ndodhi rreth orës 18:30 dhe policia e Thames Valley ka nisur një hetim të plotë për rastin. Zëdhënësi i Sterling konfirmoi se lojtari dhe fëmijët e tij ishin në shtëpi në momentin e sulmit, por fatmirësisht të gjithë janë të sigurt.
Policia britanike bëri thirrje që kushdo që ka informacion apo ka parë persona të dyshimtë në zonë të kontaktojë autoritetet.
Ky është sulmi i dytë ndaj yllit anglez, pasi në dhjetor të vitit 2022, shtëpia e tij në Oxshott, Surrey, u grabit ndërsa ai ishte me kombëtaren e Anglisë në Kupën e Botës në Katar. Si pasojë, Sterling u detyrua të kthehej me urgjencë në Angli, duke munguar në ndeshjen kundër Senegalit.
Më vonë, një shtetas shqiptar, Emiliano Krosi, 24 vjeç, u shpall fajtor për 33 grabitje, përfshirë edhe atë në shtëpinë e Sterling. Ai ishte pjesë e një bande kriminale që përdorte shkallë për të hyrë nga dritaret e pasme të shtëpive luksoze, duke vjedhur ora Rolex dhe sende me vlerë mbi 300 mijë paund. Gjykata në Guildford e dënoi Krosin me 12 vjet e 10 muaj burg.
Në deklaratën e saj, gjykatësja Catherine Hartley tha: “Ju jeni një njeri i paskrupullt dhe i etur për para, që morët pjesë me dëshirë në një bandë kriminale familjare. Lakmia juaj ka shkaktuar shumë vuajtje te viktimat.”
Ngjarja e fundit ka ngritur sërish shqetësime për sigurinë e futbollistëve në Premier League, të cilët shpesh bëhen objektiv i grabitjeve për shkak të pasurisë dhe profilit të tyre publik.
Top Channel