Tragjike në Spanjë, sfida ndërpritet pas 18 minutash lojë pas vdekjes së tifozit në stadium

10/11/2025 18:08

Një ndeshje e kategorisë së dytë spanjolle u ndërpre të dielën pas një ngjarjeje tragjike, kur një tifoz u shemb në shkallët e stadiumit dhe humbi jetën pak më vonë në spital.

Takimi mes Ceuta dhe Almería-s, i zhvilluar në stadiumin “Alfonso Murube”, u ndal pas vetëm 18 minutash, pasi 73-vjeçari u ndje keq në tribunë.

Ekipet e Kryqit të Kuq ndërhynë menjëherë, duke ofruar ndihmë të shpejtë dhe duke kryer rreth dhjetë minuta reanimacion kardiopulmonar (CPR). Tifozi u transportua me barelë mes duartrokitjeve të publikut për t’u dërguar në spital.

Ndeshja fillimisht vazhdoi dhe Almería barazoi rezultatin 1–1 me golin e Adri Embarba-s, pasi Ceuta kishte kaluar në avantazh me Kuki Zalazar. Por në pushimin e pjesës së parë, autoritetet konfirmuan lajmin e hidhur se tifozi kishte ndërruar jetë. Mediat lokale e identifikuan viktimën si Manolo Carreto, ish-shef policie.

Pas konsultimeve mes dy klubeve dhe zyrtarëve të ndeshjes, u vendos që takimi të ndërpritej përfundimisht. Lajmi u komunikua përmes sistemit të zërit të stadiumit. Pritet që pjesa e dytë të luhet në një datë të re, me 26 nëntorin që përmendet si opsion, nëse oraret e tjera lejojnë zhvendosje.

Klubi Ceuta reagoi: “Na vjen thellësisht keq për ndarjen nga jeta të njërit prej tifozëve tanë gjatë ndeshjes me UD Almería. I dërgojmë ngushëllimet tona familjes dhe miqve. U prehtë në paqe.”

Almería gjithashtu shprehu ngushëllimet e saj, ndërsa LaLiga publikoi një mesazh solidariteti dhe njoftoi se data e re e ndeshjes do të bëhet e ditur së shpejti.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta