Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy lirohet nga burgu në pritje të apelimit Kreu i BBC-së Samir Shah pritet t’i kërkojë ndjesë përmes një deklarate me shkrim sot një komisioni të parlamentit britani, mes skandalit që ka përfshirë gjigantin mediatik, e që solli dorëheqjen e drejtorit të tij të përgjithshëm, Tim Davie, dhe drejtoreshës ekzekutive, Deborah Turness.
Shkak i tërmetit që përfshiu BBC-në u bënë kritikat se një dokumentar i saj ka mashtruar shikuesit sepse kishte redaktuar një fjalim të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
“Dua t’ju informoj se kam vendosur të largohem nga BBC pas 20 vitesh. Ky është vendimi im i vetëm dhe i jam shumë mirënjohës kryetarit dhe bordit për mbështetjen e tyre të palëkundur dhe unanime gjatë gjithë mandatit tim, përfshirë ditët e fundit. Po punoj me bordin për kohën e saktë për të mundësuar një tranzicion të qetë te pasardhësi im në muajt në vijim”, tha Davie në një deklaratë, ku shtonte se “ BBC nuk është perfekte dhe ne duhet të jemi gjithmonë të hapur, transparentë dhe të përgjegjshëm”.
“Në përgjithësi, BBC po performon mirë, por janë bërë disa gabime dhe si Drejtor i Përgjithshëm duhet të marr përgjegjësinë përfundimtare”, u shpreh ai.
Samir Shah e cilësoi këtë një ditë të trishtë për median e njohur, ndërsa e përshëndeti Davie si një drejtor të përgjithshëm të jashtëzakonshëm, që i kushtoi BBC-së dy dekada të jetës së tij. BBC është kritikuar ashpër kohët e fundit, pas një sërë akuzash se nuk ka arritur të ruajë neutralitetin politik në raportimet e saj, duke përfshirë mbulimin e ngjarjeve që lidhen me Trumpin.
Drejtoresha në largim e Lajmeve në BBC, Deborah Turness, deklaroi këtë mëngjes se korporata “nuk është e anshme institucionalisht”, teksa mbërriti në ndërtesën e BBC-së pas dorëheqjes së saj dhe të Drejtorit të Përgjithshëm Tim Davie mbrëmjen e kaluar.
Dorëheqjet e dy drejtuesve të lartë kanë shkaktuar valë reagimesh nga figura të njohura të medias dhe politikës britanike, të cilët ndahen në qëndrime të kundërta mbi shkakun dhe pasojat e krizës.
Daily Telegraph kishte raportuar më herët për një memo të brendshme, të shkruar nga një ish-këshilltar i etikës në agjenci, në të cilën dokumentoheshin një sërë gabimesh, përfshirë mënyrën se si ishte redaktuar një fjalim i Trump më 6 janar 2021. Dokumenti nënkuptonte se emisioni ikonik Panorama kishte ngjitur bashkë dy pjesë të fjalimit të Trump, duke e berë të dukej sikur nxiste trazirat e atij viti në Kongresin amerikan.
Në fjalimin e tij, Trump thoshte: Do të shkojmë drejt Kapitolit dhe do të brohorasim për senatorët, kongresmenët dhe gratë tona të guximshme.” Ndërkohë, në montazhin e Panoramas ai shfaqej duke thënë: “Do të shkojmë drejt Kapitolit… dhe unë do të jem atje me ju. Dhe do të luftojmë. Do të luftojmë fort.”
Top Channel