Tensione mes komuniteteve fetare/ ‘Të vrarë sepse janë alevitë’, frikë midis pakicave të Sirisë pas rënies së regjimit të Bashar al-Assad

10/11/2025 10:00

Tensionet mes komuniteteve fetare në Siri janë ndezur sërish, ndërsa vrasjet e fundit në Homs dhe në “Luginën e të Krishterëve” po thellojnë frikën dhe ndarjet mes banorëve.

Një sulmues i maskuar në motor ka qëlluar për vdekje dy kushërinj të krishterë, Wissam dhe Shafiq Mansour, në fshatin Anaz të provincës Homs. Të dy 39-vjeçarë, po pinin kafe me një mik kur u qëlluan me breshëri plumbash.

Banorët thonë se autori erdhi nga një fshat fqinj me shumicë sunite. Sulmi ka përhapur panik në “Luginën e të Krishterëve”, ku shumë familje ndihen të pambrojtura pas rënies së regjimit të Bashar al-Assad.

Babai i Wissam-it, George Mansour, akuzon autoritetet për mosveprim. “Na morën armët, por i lanë te fshati rival. Sot ishte Wissam, nesër mund të jetw kushdo”, tha ai me lot në sy.

Wissam ishte pjesë e një milicie pro-Assad që mbronte fshatin, çka mendohet se mund të ketë qenë arsyeja e sulmit.

Frikë dhe pasiguri për të ardhmen

Bashkëshortja e Wissam-it, Leen, e përcolli burrin drejt varrit mes lotësh e dhimbjeje, ndërsa turmat brohorisnin “Gjaku i të krishterëve është i shtrenjtë”.

I mbijetuari i vetëm i sulmit, një mik i familjes, thotë se do të largohet sërish nga Siria. “Na premtuan siguri, por ajo nuk ekziston. Miqtë e mi më të dashur janë vrarë,” rrëfen ai.

Vetëm pak kilometra më tej, në qytetin e Homsit, raportohen çdo ditë rrëmbime dhe atentate ndaj pjesëtarëve të sektit Alawit. Dikur të privilegjuar gjatë regjimit të Assadit, sot ata janë në shënjestër.

Shaaban Al Ezzeldin, 46 vjeç, u qëllua tre herë ndërsa mbyllte dyqanin e familjes. “Po vriten vetëm pse janë Alawitë,” thotë i vëllai, Adnan, duke shtuar se shumë po detyrohen të largohen nga Siria.

Vrasja e 14-vjeçares Ghina

Në një lagje të përzier të Homsit, një vajzë 14-vjeçare, Ghina, u vra në gusht ndërsa qëndronte në ballkon. Ajo sapo kishte festuar rezultatet e shkëlqyera në shkollë.

Në dhomën e saj me mure rozë e libra të shpërndarë, nëna kujton vajzën me lot në sy. “Ajo e donte jetën. E vranë vetëm pse ishim Alawitë,” thotë ajo.

Qeveria e përkohshme premton drejtësi

Ministri i Drejtësisë, Mazhar al-Wais, ka premtuar gjykime publike për autorët e dhunës sektare. Vetëm këtë vit, mbi 3,000 persona – civilë dhe luftëtarë – janë vrarë në përplasjet midis komuniteteve fetare.

Por për shumë sirianë, këto premtime duken bosh. Në terren, vrasjet vazhdojnë, dhe çdo zhurmë motori risjell frikën e radhës.

 

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta