Ka libra shkencorë që shkruhen për të përcjellë dije dhe ka të tjerë që qëndrojnë në kufirin e ndërmjetëm mes shkencës dhe letërsisë, si një dritare për të hapur horizonte të reja të të menduarit. I tillë është edhe libri më i ri i profesorit të nderuar, njeriut të dritës së dijes dhe autorit të shumë veprave të arrira, Ethem Ruka, “Fortesa e fundit: truri dhe mendja”, një ese që trajton me qartësi e thjeshtësi marrëdhëniet mes trurit, mendjes dhe zhvillimeve më të fundit teknologjike. Autori ndërthur të dhëna shkencore me reflektime filozofike. Megjithëse trajton një temë komplekse si funksionimi i trurit, Ruka e shpjegon me gjuhë të qartë, të thjeshtë dhe të rrjedhshme, duke e bërë librin të qasshëm dhe për ata, që nuk kanë njohuri të thelluara shkencore. Lexuesi nuk ndihet i përjashtuar, por përfshihet në një bashkëbisedim të ngrohtë, ku autori nuk sillet si “i dituri që mëson”, por si një udhërrëfyes që ndan mendime dhe ide.
Struktura e librit është e gjerë, e shumëfishtë, si vetë truri dhe mendja që përpiqet të përshkruajë. Në faqet e para, autori na fton në “Bastin me të ardhmen”, një reflektim për kalimin nga magjia te shkenca, nga parashikimet te realizimet konkrete të mendimit njerëzor. Që këtu, lexuesi kupton, se nuk po i qaset një libri të zakonshëm shkencor, por një rrëfimi për njeriun dhe fatin e tij, një bashkëbisedim të hapur mes dijes dhe ndjeshmërisë. Shumë lexues, sidomos ata që janë të pasionuar pas psikologjisë, filozofisë dhe shkencës, do ta përjetojnë librin si një dritare që hapet drejt vetvetes. Në një botë të mbushur me zhurmë e informacion të shpejtë, ky libër vjen si një pushim i thellë dhe i nevojshëm për mendjen, një vend ku ndalesh dhe pyet: kush jam unë në të vërtetë? Libri është ndërtuar si një udhëtim intelektual, ku çdo kapitull ka një strukturë të qartë: nis me një ide qendrore, zhvillohet përmes argumenteve dhe ilustrimeve dhe përfundon me reflektime që nxisin lexuesin të mendojë. Ruka përzgjedh me kujdes ritmin e rrëfimit, as i ngadaltë dhe as i vrullshëm, duke krijuar një atmosferë soditëse. Narratori është gjithmonë i pranishëm, por jo imponues. Ai e fton lexuesin në dialog, jo thjesht si dëgjues të një monologu. Kjo qasje dialoguese e bën librin më të afërt me lexuesin.
Në vijim, “Historia e trurit është historia jonë”, thotë Ruka. Ai rindërton me kujdes evolucionin e mendjes njerëzore: nga kafkat e lashta te zinxhirët e ADN-së, nga ndikimi i klimës te ndryshimi i përmasave të trurit. Me një qartësi që e bën shkencën të kuptueshme, autori e lidh biologjinë me kulturën, gjenet me historinë, duke treguar se mënyra se si mendojmë është produkt i miliona vitesh përpjekjeje për të mbijetuar, për të ëndërruar dhe për të kuptuar.
Kapitujt pasues e thellojnë këtë udhëtim. Te “Truri, një rrugëtim pa fund”, truri paraqitet si kryevepra e natyrës, një mekanizëm i brishtë që ka nevojë për vite për t’u formuar e për t’u kuptuar. Autori na fton të njohim botën e neuroneve, të hemisferave, të kimisë së trurit, por çdo shpjegim teknik shoqërohet me një dritë metaforike, me një ndjenjë që e ngre dijen mbi të zakonshmen. “Çfarë e dallon trurin tonë nga ai i kafshëve?” pyet Ruka, për të reflektuar më pas për ndjesinë, krijimin, dashurinë, ato cilësi që, deri më sot, asnjë makinë nuk i ka imituar dot plotësisht.
Tek “Inteligjenca natyrore”, profesor Ruka ndalet në përpjekjet e njeriut për të kuptuar vetveten përmes matjes. A mund të përkufizohet inteligjenca? A matet ajo me teste, apo ndoshta me mënyrën se si dashuron, krijon, sakrifikon? Ai përmend neuroshkencën, psikologjinë, kontributet e Mensës dhe të kampionëve të koeficientit të inteligjencës, por në fund rikthehet te një ide thelbësore: inteligjenca e njeriut nuk është vetëm llogari, por ndjenjë, imagjinatë dhe përfytyrim.
Në gjysmën e dytë të librit, horizonti zgjerohet drejt së ardhmes. Kapitujt “Inteligjenca artificiale” dhe “Superinteligjenca” e zhvendosin diskutimin në terrenin më aktual të shekullit XXI. Nga mitet e lashta të Talosit, deri te mësimi i thelluar i makinave moderne, autori ndërton një histori të shkurtër të revolucionit teknologjik, që po ndryshon çdo aspekt të jetës sonë. Ai nuk i sheh makinat si kërcënim, por as si shpëtimtare të reja. Përkundrazi, e sheh inteligjencën artificiale si pasqyrë të mendjes njerëzore, një krijim që e detyron njeriun të pyesë: çfarë na bën ende unikë?
Në këtë pikë, libri merr përmasa filozofike. Profesor Ruka ngre pikëpyetje që prekin vetë qenien tonë: A do t’i nënshtrohet truri ynë pushtetit të teknologjisë? A do të humbasë pastërtinë e vet të natyrshme përballë përparimit të pandalshëm të makinave? Nëse kjo ndodh, a do të mbetet ende diçka intime, thellësisht njerëzore, në mënyrën se si ndiejmë, kujtojmë, ëndërrojmë? Këto nuk janë pyetje që kërkojnë përgjigje të menjëhershme. Por janë pyetje që nxisin vetëdije, një ndalesë të domosdoshme përpara një bote që po ndryshon më shpejt se sa mund të mendojmë.
Në kapitullin e fundit, të titulluar “Rimodelimi i mendjes”, autori na vendos përballë sfidave etike të së ardhmes: përzgjedhja e embrioneve inteligjente, inxhinieria gjenetike, përpjekjet për ta “përmirësuar” njeriun, për të zgjatur jetën ose për ta bërë trurin më të fuqishëm. Por përballë gjithë këtij përparimi, Ruka ruan tonin e tij humanist: shkenca, sado e përparuar, nuk duhet të harrojë njeriun.
Në tërësinë e vet, ky libër është më shumë sesa një tekst shkencor, është një udhëtim i brendshëm drejt vetëdijes. Profesor Ruka nuk flet vetëm si biolog apo studiues, por si shkrimtar i mendimit, si njeri që kërkon të kuptojë se çfarë mbetet e pandryshueshme në thelbin e qenies sonë. “Truri – Fortesa e Fundit” është një vepër që kapërcen kufijtë e zhanreve. Ajo është një ese letrare-shkencore, një tekst ku poezia e mendimit gërshetohet me bukurinë e fjalës së shkruar. Kjo e bën librin jo vetëm informues, por edhe estetikisht të këndshëm, një kënaqësi për çdo lexues që çmon reflektimin dhe stilin. Në çdo kapitull ndihet fryma e një njeriu që beson në forcën e dijes, por edhe në domosdoshmërinë e shpirtit.
Në një botë, ku teknologjia po fiton gjithnjë e më shumë fuqi mbi jetën, librat si ky janë kujtesa se njeriu nuk është ende i zëvendësueshëm. Truri ynë mund të deshifrohet, por mendja, ajo që ëndërron, ndien, krijon dhe dashuron, mbetet përherë mister. Dhe ndoshta, siç na kujton profesor Ruka, pikërisht në këtë mister qëndron bukuria më e madhe e qenies sonë.
“Fortesa e Fundit” vjen për lexuesin si një libër i urtë, që nuk kërkon të imponojë, por të ndihmojë të mendosh. Është një vepër që lexuesi e merr me vete edhe pasi mbaron leximin, sepse i ka dhënë më shumë se dije: i ka dhënë kuptim, reflektim dhe ndriçim të brendshëm.
*Elda Vela Botuese
Top Channel