Shkelja e procedurave për verifikimin e integritetit të gjyqtarit Asim Vokshi, Rakipllari sqaron në Top Story dokumentin me informacionin e klasifikuar
Parashikimet ishin të përafërta, ndërsa për fituesit nuk kishte dilema. Parti Socialiste, siç pritej, fitoi zgjedhjet e pjesshme lokale në Vlorë, Tepelenë, Berat, Cërrik dhe Mat.
Me një PD të dorëzuar, me kandidatë të pavarur, me idenë e tejkalimit të humbjes dhe nëpërmjet shoqërisë civile, qytetarët nuk gjetën motivim të shkonin drejt qendrave të votimit. Procesi i zgjedhjeve të së dielës u bojkotua në masë të gjerë.
18.45% ishte pjesëmarrja në 5 bashki, ndërsa Vlora dhuroi rekord negativ historik.
Rama përgëzoi fitoren e kandidatëve të tij, ndërkohë që PD mblodhi grupin parlamentar paraditen e sotme. Pati diskutime dhe ide të ndryshme proteste nga ana e deputetëve të opozitës, por nuk dolën me asnjë qëndrim zyrtar.
Sipas pedagogut Ermal Hasimja, PD-ja ishte e fokusuar te zgjedhjet në Tiranë dhe për sa kohë në kryeqytet këto zgjedhje nuk u zhvilluan, bashkitë e tjera u neglizhuan.
“Duhet thënë që zgjedhjet kaq saç ishin të pjesshme, ishin më të pjesshme se të pjesshmet. Tirana u asgjësua. Punë tjetër a u vendos kjo me ndikim të Ramës në Kushtetuese, është bisedë më vete. Aty ku ekzistonte t’i bëhej opozitë reale dhe me vota dhe të mundej PS-ja, Tirana doli jashtë loje. Te të tjerat, konstatojmë që PD-ja i neglizhoi në masë të konsiderueshme. Ndoshta dhe për fokusin te Tirana.
Sa më e vogël të jetë një bashki, aq më e vështirë është. Tirana është tjetër gjë. Ka një bashki më të madhe dhe një pjesë e elektoratit është e shkëputur nga politika. Strategjia ishte pak a shumë, të përpiqemi mos të dalim keq. Një nga problemet e tjera është edhe çështja e pjesëmarrjes, që lidhet dhe me humbjen e besimit të votuesve për ndryshimin nëpërmjet votës.
Po t’i shohësh votat, as PS-ja nuk i ka nxjerrë në vota të vetët. Në të gjithë parametrat e përfaqësimit që do të shihnim, në të gjitha kemi mangësi e probleme. Ishin zgjedhje për t’u harruar”, u shpreh Hasimja.
Për pedagogun Fitim Zekthi, këto zgjedhje treguan dhe njëherë krizën e madhe politike që po kalojnë si Partia Socialiste, ashtu edhe Partia Demokratike: “Më shumë do mbahet mend bojkoti i plotë i opozitës. Ai rezultati 3% kur ka bojkot është i justifikueshëm. PS-ja është në krizë dhe nuk ka motiv.
Gjëja e re e vetme ishte bojkot nëpërmjet mbështetjes së opozitës ndaj kandidatëve të pavarur. Kriza për mua është shumë e rëndë që e bën PS-në të fitojë zgjedhjet dhe PD-në t’i humbë zgjedhjet.
Qëllimi i secilës është që të dyja ta ruajnë këtë. Kriza është e rëndë e tmerrshme dhe u shfaq e nëpërmjet bojkotit”.
Nga ana tjetër, gazetari Arbër Hitaj u shpreh se Partia Demokratike nuk kishte asnjë organizim për këto zgjedhje dhe humbi një mundësi të mirë për një kolaudim të partisë nga e para.
“Po lexoja shifrat dhe dështoi eksperimenti me njerëzit apolitikë. Demokratët nuk kanë dalë të votojnë. Arsyet janë disa. 1001 arsye. Është një shans i humbur për të bërë një kolaudim të mirë që duhet ta bënte opozita. Këtu qartazi nuk ka të bëjë me bojkot, ka të bëjë me mungesë organizimi. Një parti që synon të hyjë në pushtet të dalë nga zgjedhjet me 3000 vota”.
Top Channel