Pesë bashki të vendit zgjedhin sot kryebashkiakët e rinj.

Janë 334.539 mijë votues në bashkitë, Vlorë, Berat, Cërrik, Mat, Tepelenë që pritet të votojnë sot, teksa qendrat e votimit janë hapur që prej orës 07:00, edhe pse në disa prej tyre pati vonesa.

Referuar përcaktimit në kodin zgjedhor, kur data e zgjedhjeve caktohet në periudhën zgjedhore nga 15 tetori deri më 15 nëntor, qendrat e votimit mbyllen në orën 18:00.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë tashmë materialet zgjedhore. Kutitë e votimit janë shpërndarë përgjatë së shtunës në KZAZ-të e ngritura në bashkitë e vendit.

Në Vlorë numri i qytetarëve do të votojnë në 232 qendra votimi janë 171.895. Në Tepelenë votojnë 12 mijë e 667 qytetarë në 22 qendra votimi.

Në Mat janë 29 mijë e 92 qytetarë me të drejtë vote, ndërsa qendrat ku do të votojnë janë 47. Në Cërrik ka 57 qendra votimi, dhe numri i zgjedhësve është 38 mijë e 724.

Në bashkinë e pestë ku ka zgjedhje Berati të drejtën e votës e kanë 82 mijë e 161 zgjedhës, të cilët do të votojnë në 116 qendra votimi.

Në garën për zëvendësimin e 5 kryebashkiakëve të zgjedhur deputetë, apo ministër si në rastin e Andis Sallës së Cërrikut janë 13 kandidatë.

Fushata e këtyre zgjedhjeve të pjesshme kaloi pa shumë zhurmë dhe as protagonizëm. Nuk pati mitingje dhe as takime elektorale ku të pranishëm të ishin liderët e partive kryesore.

Ndryshe nga herë të tjera Partia Demokratike nuk kishte kandidatë të regjistruar nën siglën e saj apo ndonjë partie tjetër opozitare, ndonëse de fakto kanë shprehur mbështetjen për disa kandidatë të pavarur në këtë garë.

Përditësimi i shifrave nga KQZ (klikoni këtu)

13:24 Zgjedhjet në 5 bashkitë/ Celibashi: Kanë votuar vetëm 13%, pjesëmarrja më e ulët në Vlorë me 8%

Pjesëmarrja e votuesve deri në orën 13:00 në pesë bashkitë është 13%. Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një konferencë për mediat u shpreh se pjesëmarrja më e lartë është në Mat, ndërsa më e ulëta në Vlorë me 8.51%.

12:54 Zgjedhjet për kryebashkiak në Cërrik/ “Pjesëmarrja është e kënaqshme”, Mazniku sqaron numrin e zgjedhësve: Janë listat me diasporën

Drejtuesi politik i PS-së në qarkun e Elbasanit, Arbian Mazniku në një prononcim për gazetarët ka sqaruar numrin e zgjedhësve më shumë në lista se zgjedhjet e majit 2025.

12:37 “Këto zgjedhje më gjejnë në një detyrë tjetër”/ Ish-kryebashkiaku i Cërrikut: Pjesëmarrja mendoj që do të rritet

Ish-kryetari i Bashkisë së Cërrikut, i cili tashmë është ministri i Bujqësisë, Andis Salla, ka votuar mesditën e kësaj të diele. Ai deklaroi se mendon që pjesëmarrja do të rritet, teksa ftoi banorët e Bashkisë së Cërrikut të votojnë.

12:31 Votohet sot për zgjedhjet e pjesshme në pesë bashki, vështirësi në identifikim dhe pjesëmarrje e ulët

Ka nisur me probleme procesi i zgjedhjeve lokale në pesë bashkitë e vendit. Janë kryesisht probleme të njohura tashmë, si vështirësia në identifikimin e qytetarëve që shkojnë për të votuar nëpërmjet pajisjes, por edhe ndryshimi i qendrës së votimit, si në rastin e një çifti që vjen nga Italia.

12:30 Zgjedhjet e pjesshme në 5 bashki/ KQZ publikon shifrat e pjesëmarrjes deri në orën 12:00, bashkia Mat me numrin më të lartë të votuesve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar shifrat e pjesëmarrjes në votim për zgjedhjen e 5 kryebashkiakëve të rinj në vend. Pjesëmarrja në votime në pesë bashki deri në orën 11:00 është 10.82%.

11:58 Vetëm 5% e vlonjatëve kanë votuar deri më tani, kandidati i pavarur Gjergj Nika: Ky duhet të jetë leksion…

Nga pesë bashki që votohet sot për kryebashkiak, pjesëmarrjen më të ulët e ka Vlora me 5.12%. Pasi votoi, kandidati i pavarur Gjergj Nika u shpreh se do te ketë një bojkotim të klasës politike dhe ky tha ai, do të jetë një leksion.

11:36 Voton kandidati i PS Florenc Doka në Cërrik: Pjesëmarrje e ulët, shpresojmë që qytetarët të votojnë masivisht

Kandidati i Partisë Socialiste në Cërrik, Florenc Doka u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë në zgjedhjet që mbahen sot. Pasi votoi, në një deklaratë për gazetarët, ai u shpreh se vota është një mjet për të kërkuar llogari.

11:30 Zgjedhjet e pjesshme në 5 bashki/ KQZ publikon shifrat e pjesëmarrjes deri në orën 11:00, bashkia Mat me numrin më të lartë të votuesve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar shifrat e pjesëmarrjes në votim për zgjedhjen e 5 kryebashkiakëve të rinj në vend.

11:16 “Diella” e KQZ do numërojë votat/ Projekti pilot do të zbatohet në bashkinë e Tepelenës, por jo për shpalljen e rezultatit final

Diella mesa duket nuk është krijesa e vetme virtuale ne vend, ajo ka edhe binjaken e saj në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Për herë të parë KQZ po teston inteligjencën artificiale në bashkinë e Tepelenës, por ajo është ende herët për të zëvendësuar numëruesit e partive.

11:10 Pjesëmarrje e ulët në Novoselë të Vlorës, të moshuarit hasen me probleme në njohjen e shenjave të gishtave

Në njësinë administrative të Novoselës, pjesë e Bashkisë Vlorë, procesi i votimit po ecën normal, por me pjesëmarrje të ulët. Personat e moshuar kanë pasur probleme pasi shenjat e gishtit nuk u njiheshin, por u është gjetur zgjedhja.

10:54 Me fëmijën me vete, voton kandidati i pavarur në Tepelenë: Dilni votoni, bëni zgjedhjen e duhur

I shoqëruar nga bashkëshortja dhe me fëmijën e vogël, kandidati i pavarur në Tepelenë Gabriel Guma, votoi në fshatin Luzat. Pasi hodhi votën, ai u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në zgjedhje dhe të votojnë kandidatin e duhur.

10:51 Zgjedhjet në Mat/ Voton kandidatja e pavarur, Suzana Pasha: Jam dhe vazhdoj të jem socialiste ndonëse idetë tona u ndanë

Suzana Pasha, kandidatja e pavarur në Bashkinë e Matit ka votuar pak momente më parë. Në një prononcim për mediat, ajo u shpreh se procesi është i qetë, ndërsa uroi që garën ta fitojë kandidati më i mirë.

10:41 Zgjedhjet për kryebashkiak në Mat/ Voton kandidati i pavarur, Eduart Brahilika thirrje qytetarëve: Dilni nga shtëpia dhe votoni

Avokati Eduart Brahilika, kandidat i pavarur (mbështetet nga opozita) ka votuar për zgjedhjet për kryebashkiak. Në një prononcim për mediat ai tha se procesi i votimit është i qetë, ndërsa u bëri thirrje matjanëve që të dalin nga shtëpitë dhe të votojnë.

10:39 Vlorë/ 90-vjeçari që nuk ka munguar kurrë në zgjedhje: Kam votuar gjithmonë, jam korrekt

Ismail Mahilaj, nga Novosela e Vlorës, është 90-vjeçari që nuk ka munguar në asnjë zgjedhje. Ai ka deklaruar se i është drejtuar gjithmonë kutive të votimit, ashtu siç bëri edhe sot.

10:37 Pjesëmarrje e ulët në Cërrik, kandidati i pavarur: Shpresojmë të mos ketë ndërhyrje nga jashtë

Kandidati i pavarur për kryebashkiak në Cërrik, Amarildo Hoxha, pasi votoi, i bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë. Në një deklaratë për gazetarët, ai tha se shpreson që të mos ketë ndërhyrje nga jashtë në këto zgjedhje.

10:19 Kur do të dalin rezultatet e zgjedhjeve në pesë bashkitë? Përgjigjet Celibashi: Procesi mund të përfundojë mesditën e së hënës

Gjatë konferencës për mediat, kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, u pyet se kur do të dalin zgjedhjet në pesë bashkitë.

Ai tha për gazetaren e Top Channel, Elda Menga, se procesi i numërimit të votave pritet të përfundojë mesditën e së hënës.

10:10 Procesi i votimit në 5 bashkitë/ Kreu i KQZ: Proces i qetë dhe pa probleme. Pjesëmarrja totale, 2.42%

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, gjatë një konference për mediat ka ndarë informacione rreth procesit të votimit në pesë bashki të vendit.

Sipas KQZ-së, pjesëmarrja në të gjitha bashkitë deri në këtë orë është 2.42%.

10:07 “Sot është ditë e shënuar”/ Voton kandidatja socialiste në Vlorë, Brunilda Mersini: Jemi të kënaqur me pjesëmarrjen. Kandidati i pavarur: Kam besim…

Kandidatja e Partisë Socialiste për Vlorën, Brunilda Mersini, ka votuar paraditen e sotme.

Teksa ushtroi të drejtën e votës, ajo ka deklaruar më pas se kjo është një ditë e shënuar, teksa është e kënaqur me pjesëmarrjen.

10:00 Çifti i të moshuarve nga Italia vjen për zgjedhjet, hasen me problematika në dokumentacione: Nuk do votojmë fare kështu

Për disa qytetarë në Vlorë procesi i votimit po shihet me vështirësi.

Një çift i të moshuarve, që ka ardhur posaçërisht nga Italia për të ushtruar të drejtën e tyre të votës, u përball me problematika në dokumentacionin e nevojshëm dhe me mungesë informacioni mbi qendrën e tyre të votimit.

09:42 Zgjedhjet për kryebashkiak në Cërrik, voton kandidati i “Shqipëria Bëhet”, Eligert Hima thirrje zgjedhësve: Dilni dhe votoni

Kandidati i “Shqipëria Bëhet” në Cërrik, Eligert Hima, ushtroi më herët të drejtën e tij për të votuar.

Pasi votoi kandidati u bëri thirrje qytetarëve të Cërrikut të votojnë masivisht.

09:15 Zgjedhjet e pjesshme në 5 bashki, KQZ publikon shifrat e para të pjesëmarrjes në votim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar shifrat e para të pjesëmarrjes në votim për zgjedhjen e 5 kryebashkiakëve të rinj në vend.

Sipas të dhënave të raportuara deri në orën 08:00, pjesëmarrja në pesë bashkitë është:

Vlorë: 687 qytetarë kanë votuar, ose rreth 0.51%.

Berat: 580 qytetarë kanë votuar, ose rreth 0.83%.

Cërrik: 323 qytetarë kanë votuar, ose 0.97%.

Mat: 463 qytetarë kanë votuar, ose 1.96%.

Tepelenë: 182 qytetarë kanë votuar, ose 2.07%.

09:14 Voton kandidati i PS në Mat, Altin Bojni: Sot është dita e fjalës së qytetarëve

Kandidati i Partisë Socialiste në Mat, Altin Bojni, i është drejtuar kutive të votimit ditën e sotme, në zgjedhjet lokale.

Ai ka deklaruar se sot është dita e fjalës së lirë të votuesve, teksa u bën thirrje të gjithëve të votojnë.

08:27 Zgjedhjet lokale nën masa të shtuara sigurie, policia do të marrë në ruajtje 473 qendra votimi

Zgjedhjet lokale në pesë Bashki të vendit do të shoqërohen nga masa të shtuara sigurie.

Policia do të marrë në mbikëqyrje 473 objekte që do të shërbejnë si qendra votimi, teksa sqaron se si do të vijojë me procesin e punës për sigurinë e zgjedhjeve.

07:48 Nis votimi në Cërrik, qytetarët zgjedhin kryebashkiakun e ri, procesi pa probleme

Gazetarja e Top Channel, Bruna Kërçyku raporton se ka nisur votimi në të gjitha qendrat e votimit në Bashkinë Cërrik. Deri më tani nuk raportohet për asnjë problematikë.

07:24 Katër qendra votimi në Vlorë nuk kanë nisur procesin, qytetarët nuk arrijnë të votojnë 

Në shkollën industriale Vlorë ku janë katër qëndra votimi ende nuk ka nis procesi i votimit. Janë duke u bërë përgatitjet e fundit. Ndërkohë qe qytetarë që kanë dashur të votonit nuk e kanë kryer për shkak se ende nuk ka nis.

07:15 Nisin problemet e para të zgjedhjeve në Berat, probleme me kamerat në një qendër votimi

Tashmë kanë nisur problemet e para në Berat, aty ku mbahen sot zgjedhjet për kryebashkiakun e ri. Në një qendër votimi, përkatësisht për 3270, ka probleme me kamerat.

07:00 Zgjedhjet lokale në 5 bashki, Rama thirrje qytetarëve: Votoni!

Kryeministri Edi Rama ka ftuar qytetarët e pesë bashkive ku do të bëhen zgjedhjet që të votojnë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta