Interi kundër Lazios, jo vetëm për tre pikët/ Zikaltrit ndjekin nga afër mbrojtësin e kryeqytetasve për verën e ardhshme

09/11/2025 10:39

Dritat e San Siros do të jenë të ndezura sonte jo vetëm për spektaklin në fushë, por edhe për një emër që po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje: Mario Gila.

Qendërmbrojtësi spanjoll i Lazios do të përballet me Interin me një lloj motivimi të veçantë – “luaj mirë, dhe ndoshta verën tjetër do të kthehem këtu, si lojtar i tyre”.

Sipas mediave italiane, Gila është një nga emrat që Marotta dhe Ausilio po monitorojnë me kujdes për merkaton e ardhshme.

Në qershor, Interi pritet të rinovojë prapavijën, duke u përgatitur t’i thotë lamtumirë Acerbit dhe De Vrij, dhe prandaj kërkimet për një mbrojtës të ri kanë nisur tashmë.

Nga Madridi në Romë: rruga e një “gladiatori” modern

25-vjeçari Mario Gila, i lindur në Barcelonë dhe i formuar te akademia e Real Madridit, po kalon sezonin më të mirë të karrierës. Në këtë fillim edicioni ai ka qenë titullar në të gjitha ndeshjet, me dhjetë paraqitje radhazi, duke u bërë një element i pazëvendësueshëm në mbrojtjen e Lazios.

Gila është i njohur për qetësinë teknike, organizimin e lojës dhe aftësinë për të rrëzuar kundërshtarët me ndërhyrje të sakta, shpesh në situata të rrezikshme. Tifozët e Lazios e kanë pagëzuar si “Gladiatori” për shpirtin luftarak dhe vendosmërinë në çdo duel.

Profil që i përshtatet Interit të Chivu-t

Një nga cilësitë që e bëjnë Gilën interesant për Interin e Cristian Chivu-t është aftësia e tij për të përparuar me topin. Statistikat e tregojnë me 0.6 mbajtje progresive për ndeshje, një vlerë shumë e lartë për një mbrojtës qendror. Kjo është një veçori që përputhet me filozofinë e lojës së Chivu-t, që kërkon qendërmbrojtës të aftë të ndërtojnë aksione nga prapavija – si në rastin e Bisseck.

Çmimi dhe kontrata

Gila është i lidhur me Lazion deri në vitin 2027, dhe kartoni i tij vlerësohet në të paktën 30 milionë euro. Për momentin, nuk ka negociata konkrete, por ai mbetet një emër i nxehtë në listën e Interit për merkaton e verës.

Sonte, në San Siro, do të jetë një ndeshje e rëndësishme për të – jo vetëm për pikët, por edhe për të ardhmen e tij. Një paraqitje e mirë ndaj Nerazzurrëve mund ta afrojë edhe më shumë me një destinacion që duket gjithnjë e më i mundshëm: Milano.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta