Heqja e sanksioneve ndaj Sirisë, Presidenti Sharaa udhëton në SHBA për bisedime me Trump

09/11/2025 08:45

Presidenti i Sirisë, Ahmed Sharaa, ka mbërritur në Washington për një vizitë zyrtare, vetëm dy ditë pasi Shtetet e Bashkuara hoqën emrin e tij nga lista e personave të sanksionuar si “terrorist global”.

Gjatë qëndrimit të tij në SHBA, Sharaa do të takohet të hënën në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Donald Trump, në kuadër të përpjekjeve për të forcuar bashkëpunimin mes dy vendeve pas ndryshimeve të fundit në Damask.

Vizita e tij vjen 11 muaj pas rrëzimit të  regjimit të Bashar al-Assad-it, duke i dhënë fund më shumë se një dekade lufte civile në Siri.

Pak orë para mbërritjes së tij në Uashington, autoritetet siriane njoftuan se kishin arrestuar 71 persona të dyshuar si pjesëtarë të grupit terrorist ISIS, ndërsa konfiskuan armë dhe eksplozivë.

Sipas burimeve diplomatike, lufta kundër mbetjeve të ISIS-it dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërkombëtare të Sirisë pritet të jenë temat kryesore të diskutimit mes Sharaas dhe Trumpit.

Në shtator, Sharaa foli në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku kërkoi heqjen e plotë të sanksioneve ndaj vendit të tij. Këtë javë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një rezolutë amerikane për lehtësimin e masave ndëshkuese ndaj Sirisë, duke hapur rrugën për rifillimin e marrëdhënieve ekonomike dhe diplomatike.

Departamenti amerikan i Thesarit konfirmoi të premten se Sharaa dhe ministri i tij i Brendshëm, Anas Hasan Khattab, janë hequr nga lista e personave të dyshuar për mbështetje të terrorizmit.

Sharaa, i njohur më parë me emrin Muhammad al-Jaëlani, ka qenë komandant i Hayat Tahrir al-Sham (HTS) një grup që dikur ishte i lidhur me Al-Kaedën, por që u shkëput nga ajo në vitin 2016.

Pavarësisht së kaluarës së tij si militant, Sharaa është mbështetur nga disa qeveri perëndimore për qëndrimin e tij më të moderuar dhe përpjekjet për të përfshirë grupet etnike dhe fetare në qeverisjen e re të Sirisë.

Në muajt e fundit, ai është përballur me përleshje të dhunshme mes grupeve lokale, përfshirë luftëtarë beduinë sunitë dhe milici druze, duke vënë në pikëpyetje aftësinë e qeverisë së tij për të rikthyer stabilitetin në vend.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta