Humbja me Bolognan, Conte s’e fsheh shqetësimim: Këtë vit ka një energji negative
Napoli nuk arrin të rikthehet te fitorja dhe pëson një humbje të rëndë në transfertë ndaj Bolognas.
Pas dy barazimeve radhazi pa gola në kampionat dhe Champions League, skuadra e Antonio Contes u mposht 2-0 në “Dall’Ara”, duke mbetur në kuotën e 22 pikëve pas javës së 11-të të Serie A. Ndërkohë, Bologna ngjitet në 21 pikë dhe afrohet ndjeshëm me zonën Champions.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë, por me pak rrezikshmëri para portave. Në 45 minutat e para u pa shumë luftë në mesfushë dhe pak hapësira për të krijuar aksione të pastra.
Pjesa e dytë solli ndryshime të mëdha. Trajneri Italiano aktivizoi Cambiaghin në vend të Rowe, dhe zëvendësimi rezultoi vendimtar. Vetëm pesë minuta pas rifillimit, Cambiaghi asistoi për Dallinga, i cili i shpëtoi mbulimit të Rrahmanit dhe zhbllokoi takimin me një goditje të shpejtë në shtyllën e parë.
Bologna mori kontrollin dhe vijoi sulmet. Në minutën e 66-të, Lucumí dyfishoi rezultatin me një goditje të saktë me kokë pas krosimit të Holm, duke vulosur praktikisht sfidën. Napoli u hodh në sulm për të kërkuar golin, por kuqeblutë u mbrojtën mirë dhe madje rrezikuan disa herë të shënonin të tretin në kundërsulm.
Për napolitanët, humbja vjen në një moment delikat dhe i privon nga mundësia për t’u shkëputur në krye të tabelës. Bologna, nga ana tjetër, shijon një fitore të madhe ndaj kampionëve në fuqi dhe konfirmon formën pozitive në këtë fillim sezoni.
Top Channel