Trump injoron konferencën në Zyrën Ovale, presidentin amerikan e zë gjumi
Drejtuesi i BBC-së, Samir Shah, pritet të kërkojë ndjesë zyrtarisht të hënën dhe të pranojë se televizioni publik britanik ka bërë një “gabim të rëndë” pasi transmetoi një pjesë të montuar në mënyrë të gabuar të një fjalimi të presidentit amerikan Donald Trump.
Sipas burimeve brenda BBC-së, Shah do të përpiqet të zbusë kritikat e shumta, përfshirë ato nga Shtëpia e Bardhë, e cila e akuzoi BBC-në për “100 për qind lajme të rreme”, duke pranuar se dokumentari i “Panorama”-s ka “keqinformuar pa dashje publikun”.
Në materialin e transmetuar, BBC kishte bashkuar dy pjesë të ndryshme të fjalimit të Trump-it më 6 janar 2021, para sulmit ndaj Kapitolit, duke dhënë përshtypjen se ai kishte nxitur mbështetësit e tij të “luftonin fort” për të marshuar drejt Uashingtonit. Në fakt, në atë pjesë të fjalimit Trump kishte thënë se do t’i shoqëronte “për të protestuar paqësisht dhe patriotikisht”.
Ky incident, i zbuluar fillimisht nga “The Daily Telegraph”, ka shkaktuar një stuhi reagimesh politike dhe profesionale ndaj BBC-së. Deputetët britanikë kanë kërkuar sqarime urgjente nga drejtuesit e lartë të korporatës, ndërsa Komiteti i Kulturës, Medias dhe Sportit ka paralajmëruar se Samir Shah dhe drejtori i përgjithshëm Tim Davie mund të thirren për dëshmi nëse përgjigjet e tyre nuk konsiderohen të mjaftueshme.
Ndërkohë, BBC është përballur edhe me akuza të tjera në raportimet e saj, përfshirë mbulimin e konfliktit në Gaza dhe debatet mbi çështjet gjinore. Gazetarë të brendshëm e kanë kritikuar menaxhmentin për “mungesë transparence dhe vonesë në reagim”, duke e quajtur rastin e “Panorama”-s një “shkelje të qartë etike”.
Edhe pse drejtori Davie ka mbrojtur fillimisht editimin si “praktikë normale televizive”, presioni publik dhe politik e ka detyruar BBC-në të pranojë gabimin.
Drejtuesja e Komitetit parlamentar, Dame Caroline Dinenage, u shpreh se “publiku po humb besimin se BBC mund të ofrojë informacion të paanshëm”.
Në industrinë mediatike britanike, incidenti është krahasuar me skandalet e mëparshme që kanë tronditur BBC-në, si “Crowngate” në vitin 2007, kur një video e montuar gabimisht e Mbretëreshës Elizabeth shkaktoi dorëheqjen e një drejtuesi të lartë.
Kjo krizë vjen në një periudhë të ndjeshme për BBC-në, ndërsa korporata përgatitet për procesin e rinovimit të Kartës Mbretërore dhe përballet me kritika për standardet editoriale, besueshmërinë dhe pavarësinë e saj.
“Nuk mjafton të thuash se e pranojmë gabimin. BBC duhet të tregojë pse publiku duhet t’i besojë ende”, shprehet një gazetar.
Top Channel