Rite magjike pro-liderit rus me lakuriqë nate dhe kafka, Rusia dënon me burg “shtrigën” e Putinit, akuzohet…
Mbretëria e Bashkuar ka dërguar personel dhe pajisje ushtarake në Belgjikë për të ndihmuar në forcimin e mbrojtjes ajrore, pas disa shkeljeve të hapësirës ajrore me dronë, të dyshuara se janë kryer nga Rusia.
Shefi i ri i ushtrisë britanike, Sir Richard Knighton, tha për BBC se homologu i tij belg kërkoi ndihmë më herët gjatë javës dhe se pajisjet britanike janë tashmë në rrugë drejt Belgjikës.
Incidentet me dronë çuan në mbylljen e përkohshme të aeroportit kryesor të Brukselit, Zaventem, të enjten në mbrëmje, duke shkaktuar kaos në fluturime dhe dëme të mëdha financiare për kompaninë “Brussels Airlines”. Dronë janë parë edhe pranë një baze ushtarake belge.
Knighton tha se nuk ka prova të drejtpërdrejta për përfshirjen e Rusisë, por e quajti “të besueshme” mundësinë që ato të jenë dërguar nga Moska. Vendimi për të ndihmuar Belgjikën është marrë në bashkëpunim me Sekretarin e Mbrojtjes, John Healey.
Gjermania ka njoftuar gjithashtu se do të mbështesë Belgjikën me masa kundër dronëve, pas një kërkese zyrtare nga Brukseli.
Ministri belg i Mbrojtjes, Theo Francken, ka pranuar se nuk ka ende prova konkrete për përfshirjen ruse, por e ka cilësuar situatën si “një kërcënim serioz që prek infrastrukturën civile në disa vende të Evropës”.
Sir Richard paralajmëroi se Rusia mbetet “kërcënimi më urgjent për Evropën”, duke përmendur edhe rastet e sabotimeve dhe vrasjeve të organizuara nga Moska në territorin britanik. Ai tha se Mbretëria e Bashkuar duhet të forcohet ndaj “luftës hibride” të Rusisë.
Dronë të ngjashëm janë parë kohët e fundit edhe mbi hapësirën ajrore të Suedisë, Norvegjisë dhe Danimarkës, duke shkaktuar ndërprerje fluturimesh dhe rritje alarmi në vendet nordike.
Zyrtarët gjermanë dhe belgë dyshojnë se incidentet mund të lidhen me diskutimet e Bashkimit Europian për përdorimin e aseteve të ngrira ruse për të mbështetur Ukrainën me një hua prej 140 miliardë eurosh.
Ndërkohë, Britania ka dërguar avionë luftarakë RAF Typhoon për misione mbrojtëse mbi Poloni, si pjesë e operacioneve të NATO-s për forcimin e krahut lindor përballë provokimeve ruse.
Top Channel