Inter, bëj kujdes! Liverpool është gati të ofrojë mbi 100 milionë euro për Bastonin
Lionel Messi vazhdon të shkruajë histori në futbollin amerikan. Superylli argjentinas shënoi dy gola dhe dha një asistim në fitoren e thellë 4–0 të Inter Miami ndaj Nashville SC, në ndeshjen vendimtare të rrethit të parë të play-off-it të MLS.
Me këtë triumf, skuadra nga Florida siguroi për herë të parë në histori kualifikimin në gjysmëfinalet e Konferencës Lindore.
Përveç fitores madhështore, ndeshja shënoi edhe një moment historik personal për Messin, i cili arriti 400 asistime në karrierë profesionale – një tjetër rekord që e konfirmon si një nga më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave.
Në një ndeshje “jetë a vdekje” në Chase Stadium, Inter Miami e nisi vrullshëm, duke vendosur ritmin që në minutat e para.
Messi hapi rezultatin në minutën e 10-të, pasi përfitoi nga një gabim i mbrojtjes së Nashville, depërtoi me mjeshtëri në qendër dhe goditi saktë në cepin e poshtëm të portës.
Ylli 38-vjeçar dyfishoi avantazhin në minutën e 39-të, pas një aksioni të shpejtë ku Jordi Alba dërgoi një top të gjatë, Mateo Silvetti ia pasoi Messit, dhe ky i fundit e shtyu në rrjetë me qetësi. Dy golat e shpejtë në pjesën e parë vendosën ritmin e një ndeshjeje që Miami e dominoi plotësisht në zotërim dhe raste.
Me këtë paraqitje, Messi jo vetëm që i udhëhoqi bashkëlojtarët drejt një fitoreje historike, por edhe tregoi sërish se në momentet më vendimtare, ai është njeriu që bën diferencën.
Top Channel