Ventura dhe derbi i fundit i fituar nga Torino: Me VAR do kisha më shumë suksese, sa padrejtësi na janë bërë…
Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, ka ndezur debat gjatë Forumit të Biznesit të Futbollit të organizuar nga SDA Bocconi, ku kritikoi ashpër gjendjen e stadiumit Diego Armando Maradona dhe mënyrën si menaxhohet futbolli në Itali.
“Stadiumi Maradona është një vend i rrëmujshëm”
Shefi i Napolit nuk i kurseu fjalët për impiantin ku skuadra e tij luan ndeshjet në shtëpi:
“Stadiumi Maradona është një rrëmujë e madhe. Edhe PSG luan në një stadium që nuk e zotëron, por me të njëjtën shumë që paguaj unë qytetit të Napolit, ata fitojnë 100 milionë euro në vit. Ndërkohë, Milani dhe Interi arrijnë deri në 14 milionë euro në një natë të Champions-it, kurse unë maksimumi 3 milionë në atë stadium të rrëmujshëm. Dhe pastaj më kërkohet të blej lojtarë 50-60 milionë eurosh për të konkurruar me ta?”
De Laurentiis kujtoi gjithashtu problemet historike që datojnë që nga Italia ’90: “Që atëherë u bë një rrëmujë totale, thjesht u vodhën para. Unë nuk kam qenë pjesë e asaj kohe. Tani më kërkohet ta rinovoj stadiumin ndërsa luaj, me kosto të jashtëzakonshme ekonomike?”
“Dua një stadium me shumë vende parkimi”
Presidenti i Napolit preku edhe çështjen e infrastrukturës dhe qasjes së tifozëve në stadium: “Dua një stadium me shumë vende parkimi. Kushdo që thotë se tifozët mund të vijnë vetëm me transport publik, gënjen! Njerëzit duan të vijnë me makinën e tyre, ta kenë të pastër dhe të sigurt në fund të ndeshjes. Dhe unë dua që stadiumi të jetë brenda qytetit.”
“Politika nuk di asgjë për futbollin”
De Laurentiis kritikoi edhe klasën politike italiane për injorancën ndaj futbollit modern: “Politika nuk di asgjë për futbollin dhe nuk kupton se ku po shkon ky sport.”
Ai shtoi më tej, duke cituar një bisedë me shkrimtarin Roberto Saviano: “Ndrangheta, Mafia dhe Camorra duan të marrin klubet.”
Paralajmërim për të ardhmen e futbollit europian
Në fund, presidenti napolitan ngriti shqetësime për të ardhmen e ligave kombëtare, duke paralajmëruar Ceferin dhe Infantinon: “Duhet të jemi të kujdesshëm që të mos ulim vlerën e kampionateve kombëtare. Pse të ndërtojmë stadiume të reja nëse ekipet e tjera italiane nuk janë më konkurruese? Ndoshta është koha të mendojmë për një kampionat evropian dhe të ndryshojmë rregullat e lojës.”
Fjalët e De Laurentiis pritet të shkaktojnë reagime të forta, si në qarqet politike ashtu edhe në ato sportive, duke rihapur debatin për të ardhmen e stadiumeve dhe futbollit italian.
Top Channel