Pritet të debutojë kundër Shqipërisë, kush është talenti anglez që Tuchel surprizoi duke e grumbulluar në kombëtare

08/11/2025 13:50

Trajneri i përfaqësueses angleze, Thomas Tuchel, ka habitur të gjithë me listën e tij të fundit të grumbullimeve, duke lënë sërish jashtë Jack Grealish, por duke thirrur për herë të parë në Kombëtare një tjetër mesfushor me stil të ngjashëm – Alex Scott, i njohur ndryshe si “Guernsey Grealish”.

Scott, 22 vjeç, u bë i njohur te Bristol City, ku fitoi këtë pseudonim për shkak të ngjashmërive me Grealish në mënyrën e lojës dhe pamjen – përfshirë edhe fashën karakteristike në flokë. Ai u transferua te Bournemouth në vitin 2023, pasi kishte spikatur në ndeshjen e Kupës FA ndaj Manchester City-t, ku edhe vetë Grealish e cilësoi si një “top, top talent”. Edhe Pep Guardiola e kishte përgëzuar atë, duke e quajtur “një lojtar të pabesueshëm”.

Rruga e Scott drejt majës ka qenë e jashtëzakonshme. Ai ishte lënë jashtë akademisë së Southamptonit në moshën 14-vjeçare për shkak të shtatit të vogël, por u rikthye në futboll përmes klubit lokal Guernsey FC. Sot, pas disa vitesh rritjeje të shpejtë, është kthyer në një nga mesfushorët më të premtues të Premier League-s.

Te Bournemouth, Scott është shndërruar nga një “fantazist” klasik në një mesfushor të plotë numër 8, me shumë energji dhe ekuilibër, gjë që ka tërhequr vëmendjen e Tuchel.

Trajneri i Anglisë vlerësoi punën dhe progresin e Scott në muajt e fundit: “Alex e meriton të jetë me ne. E pashë nga afër në Europianin U-21, ku ai dhe Elliot Anderson ishin fantastikë në mesfushë dhe patën rol kyç në fitimin e trofeut. Që atëherë ka bërë hapa të mëdhenj dhe është bërë titullar te Bournemouth, një skuadër që po performon mbi pritshmëritë. Ai e fitoi me meritë këtë ftesë. Do të luajë si mesfushor qendror, dhe shpresoj të tregojë talentin dhe personalitetin e tij.”

I lindur në Guernsey, Alex është një tifoz i lindur i Tottenham Hotspur, ndërsa është edhe vëllai i njerk i mbrojtëses së Manchester United dhe kombëtares femërore të Anglisë, Maya Le Tissier. Në kampin e Bournemouth, bashkëlojtarët e pritën me duartrokitje pas publikimit të thirrjes.

Alex Scott pritet të debutojë në njërën prej dy ndeshjeve të ardhshme të Anglisë:

13 nëntor 2025 – Angli vs Serbi, në “Wembley Stadium”

16 nëntor 2025 – Shqipëri vs Angli, në “Air Albania Stadium”, Tiranë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta