Përplasje diplomatike Budapest-Uashington/ Hungaria pretendon përjashtim “pa afat” nga sanksionet amerikane, Shtëpia e Bardhë kundërshton

08/11/2025 19:54

Një përplasje diplomatike po zhvillohet mes Hungarisë dhe Shteteve të Bashkuara, pasi Budapesti pretendon se është përjashtuar për një periudhë të pacaktuar nga sanksionet amerikane që ndalojnë importet e naftës dhe gazit rus.

Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, deklaroi sot se kryeministri Viktor Orban është “pajtuar me Presidentin e SHBA-së” për një përjashtim të pacaktuar nga sanksionet energjetike. Ai tha se “nuk ka sanksione për dërgesat e naftës dhe gazit në Hungari për një periudhë të pacaktuar”.

Deklarata e Szijjartos vjen pas takimit që Orban zhvilloi dje në Shtëpinë e Bardhë me Donald Trump, ku është raportuar se palët kanë diskutuar marrëveshje për blerjen e gazit natyror amerikan.

Megjithatë, burime nga Shtëpia e Bardhë kanë dhënë një version tjetër të marrëveshjes, duke thënë se përjashtimi është vetëm njëvjeçar dhe lidhet me kalimin gradual të Hungarisë drejt burimeve alternative të energjisë.

Kjo mospërputhje ka ngritur pikëpyetje mbi interpretimin e marrëveshjes mes dy vendeve dhe ndikimin e saj në politikën energjetike të BE-së.

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, ndërprerja e furnizimit me gaz rus do t’i kushtonte Hungarisë më shumë se 4% të PBB-së, ndërsa të dhënat zyrtare tregojnë se 74% e gazit dhe 86% e naftës së përdorur nga Hungaria në vitin 2024 kanë ardhur nga Rusia, pavarësisht thirrjeve të aleatëve për t’i reduktuar këto varësi për shkak të luftës së Moskës në Ukrainë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta