“Partia Demokratike është rikthyer”, Biden sulmon ashpër Trump: Po shkatërron Kushtetutën, po punon për miliarderët

08/11/2025 22:17

Ish-presidenti amerikan Joe Biden deklaroi se “Partia Demokratike është rikthyer” pas fitoreve të fundit elektorale, duke përdorur një fjalim të fortë kundër presidentit aktual Donald Trump.

Në fjalimin e mbajtur në “Ben Nelson Gala” në Omaha të Nebraskës, 82-vjeçari tha se demokratët po rikthehen më të fortë se kurrë, ndërsa kritikoi Trump-in për politikat e tij që, sipas tij, “dëmtojnë shtresat e varfra dhe përçajnë vendin.”

Partia Demokratike është rikthyer. Nuk është hiperbolë, është fakt. Shikoni rezultatet e zgjedhjeve,” deklaroi Biden, duke përmendur fitoret e demokratëve në disa shtete kyçe si New Jersey, Virginia dhe Nju Jork.

Biden, i cili kishte një fashë në kokë pas trajtimit për kancer në prostatë, foli me emocion për betejën e tij shëndetësore dhe kujtoi djalin e tij të ndjerë, Beau Biden.

E di çfarë do të thotë kanceri, e di çfarë përjetojnë familjet. Djali im, Beau, heroi im, duhej të ishte president, jo unë,” tha Biden, duke kujtuar shërbimin e të birit në Irak dhe vdekjen e tij nga glioblastoma.

Në vijim të fjalës së tij, Biden akuzoi Trump-in se “po shkatërron Kushtetutën” dhe “po merr nëpër këmbë demokracinë amerikane.”

Trump punon për miliarderët, jo për popullin amerikan. Në demokraci nuk ka mbretër, por ai sillet sikur është njëri prej tyre,” theksoi ish-presidenti.

Biden e ironizoi gjithashtu planin e Trump për ndërtimin e një salle të re balloje në Shtëpinë e Bardhë, duke e quajtur “simbolin perfekt të presidencës së tij.”

Trump ka marrë një çekiç jo vetëm mbi Shtëpinë e Popullit, por mbi Kushtetutën, ligjin dhe vetë demokracinë,” shtoi ai.

Në fund, Biden theksoi se republikanët duhet të ndalojnë bllokimin e qeverisë dhe të bashkëpunojnë për të mbështetur amerikanët e zakonshëm.

Kjo nuk është politikë, është moral. Është çështje njerzore. Askush nuk duhet të shkojë në shtrat i uritur në Amerikë,” përfundoi ai.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta