Lazio përballet me Interin, Sarri: Për të arritur rezultat duhen 25 ‘të çmendur’ gati për…
I qetë dhe gjithmonë i buzëqeshur, por këtë herë fytyra e tij ndryshon sapo përmendet emri i djalit. Ish-mbrojtësi legjendar i Milanit, Serginho, ka folur me zemër të hapur nga Milano për dhimbjen më të madhe të jetës së tij dhe për kujtimet e arta që e lidhin me klubin “Rossoner”.
Në një intervistë të gjatë dhe emocionale, braziliani kujton humbjen e djalit Diego, vitet e lavdisë me Milanin dhe raportin e veçantë me Silvio Berlusconin.
Serginho, le ta fillojmë me temën më të dhimbshme. Pak më shumë se një vit më parë, në gusht të 2024-s, humbët djalin tuaj Diego. Si e përballoni një tragjedi të tillë?
Serginho: Fjalët nuk mjaftojnë për të përshkruar atë që ndjeva. Nuk do të mësohem kurrë të flas për vdekjen e Diegos. Që kur ai u largua, çdo gjë që besoja është vënë në dyshim. Është dhimbja më e madhe që një prind mund të përjetojë. Tani jetoj për të, me bindjen se një ditë do të jemi bashkë përsëri.
Tifozët e Milanit iu qëndruan pranë në ato momente të vështira?
Serginho: Shumë. Kam ndier dashuri të pafundme nga tifozët e Milanit. Në ditët më të errëta të jetës sime, ata më dhanë forcë. Nuk do ta harroj kurrë.
Kthehemi pas në kohë. Si lindi historia juaj me Milanin?
Serginho: Ishte Ariedo Braida që më bindi. Një ditë para se të takoja atë, Carlo Ancelotti, në atë kohë trajner i Juventusit, më kishte sugjeruar bashkë me Didën dhe Amoroson te “Bianconerët”. Por Braida erdhi, foli vetëm dhjetë minuta dhe më fitoi. Brenda një muaji isha në Milano, nën urdhrat e Zaccheronit.
Fillimi me Zaccheronin nuk ka qenë i lehtë, apo jo?
Serginho: Një makth! Vetëm seanca taktike pa fund. Unë pyesja veten: “Kur do të prekim topin?”. Ishte e ftohtë, nuk isha mësuar, doja të largohesha. Por më pas gjithçka ndryshoi.
Me ardhjen e Cesare Maldinit gjithçka mori tjetër drejtim?
Serginho: Absolutisht po. Ai më shpëtoi karrierën. Më tha të përqendrohesha në sulm dhe me të fituam derbin 6-0. Pastaj erdhi Ancelotti dhe filloi periudha më e bukur. Ishim ekipi më i fortë në botë.
A është penalltia kundër Juventusit në finalen e Champions-it momenti më i rëndësishëm i karrierës?
Serginho: Po. Para Buffon-it, porta dukej shumë e vogël. Por gjithçka shkoi mirë dhe fituam trofeun më të madh. Ai ishte kulmi i karrierës sime.
Por jo çdo finale ishte e lumtur. Çfarë ndodhi në Stamboll, në atë mbrëmje të famshme të vitit 2005?
Serginho: Ishte një natë e mallkuar. Edhe sikur të kishim luajtur një javë, nuk do të kishim fituar. Pritja e Dudek ndaj Shevchenkos ishte diçka mbinatyrore. Ne e ndjenim që do të shkonim keq, ishte një bllokim mendor. Edhe më të mirët humbëm penalltitë – unë, Pirlo dhe Shevchenko.
Thuhet se në pushimin e pjesës së parë disa po festonin…
Serginho: Gjithçka është e pavërtetë. Në fakt, ishim të tensionuar, madje u grindëm. Na mungonte përqendrimi kur ktheheshim në fushë, dhe kjo na kushtoi shtrenjtë. Askush nuk kishte arsye për të festuar.
Çfarë kujtimesh keni nga Silvio Berlusconi?
Serginho: Shumë. Mund të shkruaja një libër për të. Ishte unik. Vinte shpesh në dhomën e zhveshjes, na jepte këshilla taktike dhe na fliste për “shfaqjen” që duhej të jepnim në fushë. Një ditë më mori mënjanë për të më mësuar si të mbrohesha – solli truprojat e tij dhe disa kukulla për të më treguar si të parashikoja kundërshtarin. Ishte i jashtëzakonshëm.
Pas karrierës, ju vazhduat bashkëpunimin me klubin. Çfarë roli patët?
Serginho: Galliani më propozoi të isha një urë mes Milanit dhe Brazilit. Ndihmova në krijimin e një Klubi të të Rinjve të Milanit, ku përfshiheshin shumë talente. U sugjerova atyre Thiago Silva-n dhe Miranda-n. Thiago ishte gati të nënshkruante me Interin, por pas një bisede me mua dhe Braida-n, u bind të zgjidhte Milanin – dhe mendoj se bëri zgjedhjen e duhur.
Top Channel