Mbyllja e qeverisë/ Vijon kaosi, mbi 1,000 fluturime të anuluara dhe rreth 4,000 të vonuara
Qeveria britanike po analizon politikat e Danimarkës për të ulur emigracionin e paligjshëm.
Media britanike Sky News raporton se ministrja e Brendshme, Shabana Mahmood, ka dërguar zyrtarë në Kopenhagë për të studiuar sistemin danez të kontrollit kufitar dhe të azilit, një nga më të ashprit në Evropë.
Në qendër të vëmendjes janë rregullat e rrepta për ribashkimin familjar dhe qëndrimet e përkohshme për refugjatët, të cilat Danimarka i aplikon për të frenuar fluksin migrator. Mahmood pritet të shpallë ndryshime të mëdha në sistemin britanik të emigracionit më vonë këtë muaj.
Megjithatë, në Partinë Laburiste ka ndarje të forta mbi këtë qasje. Disa deputetë kërkojnë politika edhe më të ashpra për të frenuar emigracionin. Ndërkohë, të tjerë paralajmërojnë se këto masa mund të largojnë votuesit progresistë dhe ta shtyjnë partinë shumë në të djathtë.
Kjo nismë vjen ndërsa Britania po përballet me rritje të kalimeve ilegale përmes Kanalit Anglez. Vetëm të premten, 648 persona kaluan me gomone drejt Britanisë, duke e çuar numrin total të këtij viti në 38,223.
Mahmood synon të vendosë masa ndaluese për hyrjet e paligjshme dhe të lehtësojë dëbimin e atyre që nuk kanë të drejtë qëndrimi. Ajo pritet të takohet së shpejti me ministrin danez të emigracionit, Rasmus Stoklund, i cili e ka përshkruar Danimarkën si “një vend i vogël e paqësor, si hobbitët në ‘Lord of the Rings’, ku ata që nuk kontribuojnë pozitivisht, nuk janë të mirëpritur”.
Top Channel