Cristian Chivu, nga “Ha pak m..” te “Nuk po qaj”/ Frazat kult të trajnerit që po ndryshojnë fytyrën e Interit

08/11/2025 13:39

Trajneri i Interit, Cristian Chivu, ka sjellë në “Appiano Gentile” një stil komunikimi ndryshe nga çfarë ishim mësuar me trajnerët e tjerë të klubit.

I drejtpërdrejtë, pa filtra dhe shpesh brutal në sinqeritetin e tij, rumuni nuk përdor klishe diplomatike, por mesazhe që lënë gjurmë – për skuadrën, tifozët dhe gazetarët. Nga frazat motivuese te ato plot karizëm, ja një përmbledhje e “citimeve kult” të teknikut zikaltër.

“Duhet të hash pak m… dhe ta përtypësh mirë”

Në prag të ndeshjes vendimtare kundër River Plate në Kupën e Botës për Klube, Chivu shpërthen me një frazë që bëhet virale.

“Duhet të hash edhe pak m… dhe duhet ta përtypësh mirë. Ky është një grup kampionësh që e di çfarë do. Gjithçka që ka rëndësi është ndeshja tjetër.”

Rezultati e justifikoi tonin e tij: Inter fitoi 2-0 dhe u kualifikua, përpara se të eliminohej në raundin pasardhës nga Fluminense.

“Nuk mund të ndryshosh fillimin, por mund të ndryshosh fundin”

Para nisjes së sezonit, trajneri e bëri të qartë filozofinë e tij: të nisë nga e para pas një viti pa trofe.

“Nuk mund të kthehesh pas dhe të ndryshosh fillimin, por mund të ndryshosh fundin.”

Një mesazh për t’u ngritur pas dy finaleve të humbura dhe për të rikthyer mentalitetin fitues në “Giuseppe Meazza”.

“Dua një ekip fluid, agresiv, vertikal dhe të paparashikueshëm”

Në prezantimin e tij të parë si trajner i parë i Interit, me Beppe Marotta në krah, Chivu përcaktoi identitetin e skuadrës së tij:

“E dua Interin tim agresiv, që luan vertikalisht dhe pa frikë. Duhet të jemi të paparashikueshëm.”

Një stil që po bëhet gjithnjë e më i dukshëm në fushë, edhe pse procesi kërkon kohë.

“Mos u shikoni më në pasqyrë”

Pas humbjes së papritur në shtëpi ndaj Udineses, në fund të gushtit, Chivu foli hapur:

“Duhet të shohim më pak veten dhe më shumë fushën. Lojtarët kanë vite me zakone që nuk mund të thyhen brenda një jave. Është përgjegjësia ime, por duhet të gjejmë motivimin e duhur.”

Frazë që shënoi nisjen e një ndryshimi të qartë mentaliteti brenda grupit.

“Dua që lojtarët e mi të jenë të inatosur”

Në tetor, kur u pyet për menaxhimin e formacionit dhe pakënaqësitë e disa lojtarëve, Chivu u përgjigj në mënyrën e tij tipike:

“Disa janë të inatosur sepse nuk po luajnë, por kjo është në rregull. Dua që të jenë të inatosur. Askush nuk duhet të ndihet rehat.”

Pas ndeshjes, kur Dumfries reagoi nervozisht pas zëvendësimit, trajneri nuk e kritikoi publikisht: “Ai ka të drejtë të jetë i inatosur. Një grusht në top nuk do të thotë asgjë. Ai është një djalë i mirë dhe shumë i rëndësishëm për ne.”

“Nuk po qaj”

Pas një penalltie të dyshimtë në humbjen 3-1 ndaj Napolit, Chivu e bëri të qartë qëndrimin e tij ndaj arbitrave:

“Penalltia? Nuk do të vij kurrë këtu për t’u ankuar. Unë nuk qaj. Kam dinjitet dhe qasje ndryshe. Nuk më intereson reputacioni im, më intereson të jem i ndershëm.”

Një deklaratë që u përshëndet nga tifozët për tonin e qetë dhe qëndrimin e fortë.

“I thashë Lautaros: mëso të buzëqeshësh”

Në prag të ndeshjes kundër Kairat Almaty, pas disa paraqitjeve të zbehta të Lautaro Martinez, trajneri zbuloi detajet e një bisede private:

“I bëra një gjest dhe i thashë: ‘Buzëqesh’. Ai është një lider i madh, por ndonjëherë pesha e përgjegjësisë e bën të harrojë gëzimin e lojës.”

Rezultati? Lautaro shënoi dhe i doli përpara Chivut pas golit për t’i dhënë një top me forcë, si shenjë respekti dhe emocioni.

“Po e vë fytyrën time në rrezik”

Pas fitores 2-1 kundër Kairat dhe Veronës, trajneri kritikoi skuadrën për mungesën e intensitetit:

“Duhet të kishim bërë më mirë. Përgjegjësia është e imja. Po e vë fytyrën time në rrezik dhe lojtarët e dinë këtë.”

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta