Burgu nëntokësor i Izraelit/ “Dhunë, izolim total dhe mungesë ushqimi”, palestinezët rrëfejnë tmerrin e përjetuar

08/11/2025 18:35

Izraeli po mban dhjetëra palestinezë nga Gaza në burgun nëntokësor Rakefet, një strukturë pa dritë natyrale, ku të burgosurit përballen me mungesë ushqimi, izolim total dhe keqtrajtime të rënda.

Raportimet vijnë nga avokatët e Komitetit Publik Kundër Torturës në Izrael (PCATI).

Mes të ndaluarve janë një infermier 34-vjeçar dhe një 18-vjeçar, të mbajtur për muaj të tërë pa akuza apo gjyq. Ata rrëfejnë se janë dhunuar, torturuar, kanë pasur mungesë ajri dhe ushqimi.

Burgu Rakefet, i hapur fillimisht në vitet ’80 për kriminelë të rrezikshëm dhe më pas i mbyllur si “çnjerëzor”, u riaktivizua në vitin 2023 me urdhër të ministrit të ekstremit të djathtë Itamar Ben-Gvir pas sulmeve të 7 tetorit. Sot, aty mbahen rreth 100 të burgosur, ndonëse kapaciteti fillestar ishte vetëm për 15 persona.

Avokatët që vizituan qelitë përshkruajnë kushte ekstreme: nën tokë, pa dritare, me ajër të rëndë, qeli të ndyra dhe survejim të vazhdueshëm. Të burgosurit dalin vetëm disa minuta në ditë dhe nuk kanë asnjë kontakt me familjet.

PCATI e cilëson mbajtjen e tyre si shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar humanitar, duke theksuar se privimi nga drita e diellit dhe ushqimi përbën formë torturë.

Shërbimi i Burgjeve të Izraelit ka deklaruar se “vepron sipas ligjit”, por nuk ka dhënë përgjigje për identitetin dhe trajtimin e të ndaluarve në Rakefet.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta