Tensione gjatë sfidës së Europa League mes Aston Villës dhe skuadrës izraelite, 11 persona arrestohen pas protestave të shumta për Palestinën

07/11/2025 10:26

Mbi 700 oficerë policie u angazhuan në një operacion të gjerë sigurie përreth stadiumit Villa Park në Birmingham, ku u zhvillua ndeshja mes Aston Villa dhe Maccabi Tel Aviv, ndërsa 11 persona u arrestuan gjatë protestave të dhunshme.

Ndeshja u zhvillua mes masave të rrepta të sigurisë dhe pa praninë e tifozëve izraelitë, pasi Policia e West Midlands e klasifikoi takimin si një ngjarje me rrezik të lartë. Arrestimet u bënë për hedhje fishekzjarrësh drejt stadiumit, posedim lëndësh narkotike dhe sharje me përmbajtje raciste. Të arrestuarit janë meshkuj të moshës nga 17 deri në 67 vjeç.

Në orët para ndeshjes, persona me maska vendosën pankarta me mbishkrime “Zionists not welcome”, ndërsa grupe protestuesish pro-palestinezë organizuan demonstrata që shpërthyen pak para fillimit të ndeshjes dhe vazhduan gjatë gjithë saj.

Për shkak të frikës nga përplasjet, disa shkolla në zonë mbyllën më herët, ndërsa u vendos një zonë pa fluturime mbi stadiumin me 40 mijë vende. Një avion policie patrullonte në ajër, ndërsa autoritetet zbatuan kompetencat e nenit 60, që lejonin ndalimin dhe kontrollin e personave pa arsye specifike.

Para stadiumit, qindra protestues pro-palestinezë valëvitën flamuj të Palestinës dhe mbajtën fjalime, ndërsa rreshta policësh anti-revoltë i mbajtën larg hyrjeve të tribunave. Një grua u ndalua nga policia pasi valëviti një flamur izraelit përballë turmës.

Në të njëjtën kohë, rreth 100 mbështetës pro-izraelitë zhvilluan një kundërprotestë, të shoqëruar nga policia deri në hyrjen e stadiumit për tifozët miq. Disa prej tyre mbanin flamuj të Izraelit dhe të Forcave të Mbrojtjes Izraelite.

Para fillimit të ndeshjes, pesë kamionë me ekrane elektronikë kaluan përpara stadiumit me mesazhe kundër antisemitizmit. Ekipi i Maccabi mbërriti në stadium katër orë përpara ndeshjes, nën masa të rrepta sigurie dhe me automjete të pashënjuara.

Vendimi për ta zhvilluar ndeshjen u mor pas një armëpushimi të përkohshëm që lejoi pjesëmarrjen e skuadrës izraelite në Europa League, pavarësisht thirrjeve për përjashtimin e ekipeve izraelite nga garat ndërkombëtare.

Policia e Birminghamit tha se operacioni i madh synonte të parandalonte përplasjet dhe të siguronte rendin publik, në një atmosferë të mbushur me tensione politike dhe emocionale përreth ndeshjes.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta