Studiuesi Auron Tare: Në kohën e Diellës, Chatgpt dhe Satelitëve, ne ende ndërtojmë kioska për gomerët

07/11/2025 17:40

Studiuesi Auron Tare ka ndarë një postim në rrjetin e tij në Facebook, ku është shprehur kundër kioskave të ndërtuara nga Ministria e Turizmit, përgjatë segmentit Gryka e Këlcyrës-Bënjë, në shërbim të informimit të turistëve.

Tare thotë se ato sot janë bërë vend strehimi për gomerët, sepse sipas tij “në epokën e Inteligjencës Artifiliale dhe Ministres Diella, të gjithë kanë një celular nga ku mund të marrin çdo informacion që duan dhe këto para të investuara në këto kioska sipas studiuesit, nuk gjejnë dot kuptim dhe shpjegim.

“Në një epoke të Inteligjences Artificiale, Ministres “Diella”, Sateliteve në qiell dhe telefonave inteligjent në xhep, Ministria e Turizmit me një zell te habitshëm ndërton stacione informacioni turistike te cilat qartësisht kanë mungese te theksuar arsyeje.

Këto stacione, të ndërtuara gjatë dy viteve të fundit me një fond prej rreth 2 milionë eurosh të marra nga Banka Botërore, janë shpërndarë përgjatë jugut të vendit. Por në vend që të ofrojnë informacion për turistët, ato janë ca kioska te trishtuara, bosh, të ndryshkura të braktisura dhe pa asnjë funksionim real. Në verë shërbejnë vetëm për të strehuar ata pak gomerët nga vapa përvëluese ndërsa tani ne vjeshte duken edhe me te trishtuar nga braktisja e tyre.

Çdokush që bën udhëtimin përgjatë segmentit Gryka e Këlcyrës – Bënjë, mund t’i shohësh me sytë e tyre këto “qendra” të braktisura: një në dalje të urës së Këlcyrës, një në qendër të Përmetit, një në Petran, një tjetër në Bënjë, dhe një “super qendër informuese” ne ndërtim (me restorante) pranë Gurit të Qytetit, kjo një zonë e mbrojtur.

Për ironi në të gjitha jo vetëm nuk ka asnjë lloj shërbimi por nuk ka asnjë vizitor që ndalet të marrë “informacion” të përgatitur nga Ministria Jonë e Turizmit”, shprehet studiuesi.

Studiuesi thotë se edhe pas pyetjeve që i janë drejtuar ministrisë apo bankës Botërore nga e cila janë siguruar edhe të ardhurat për këto investime, ai akoma nuk ka marrë një përgjigje.

“Askush nuk di të shpjegojë pse u ndërtuan, kujt i shërbejnë, dhe çfarë “informacioni” ofrojnë këto stacione. Edhe pas pyetjeve të drejtuara Ministrisë së Turizmit dhe zyrës së Bankës Botërore, asnjë përgjigje.

Në një kohë kur çdo udhëtar ka në xhep një telefon dixhitale dhe plot aplikacione turistike, lind pyetja:

Përse ende ndërtojmë kioska të shekullit të kaluar përgjatë Lumit të Vjosës apo edhe me tej?

Ndoshta dikush më i lexuar mund ta shpjegojë këtë mister pasi askush si nga Banka Botërore që ka hedhur parat ( tonat sigurisht) si nga Ministria që i ka ndërtuar nuk përgjigjet njeri”, shkruan Tare.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta