Sistemi shëndetësor shqiptar duhet të integrohet me sistemin shëndetësor europian dhe projekti i saj i parë do të jetë krijimi i një programi kombëtar diagnostikimi që lidh kujdesin parësor me atë dytësor dhe terciar.
Kështu është shprehur ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, në një intervistë për revistën shkencore për profesionistët e radiologjisë, fushë së cilës i përket.
Ndërkohë që edhe më herët është shprehur se Onkologjiku është sfida e saj në drejtimin e sistemit shëndetësor shqiptar.
“Kjo është padyshim sfida më e madhe që kam marrë përsipër deri më tani. Nuk e kam menduar kurrë se do të mund të ndikoja drejtpërdrejt në shëndetin e një vendi të tërë, por besoj se ndikimi im në këtë rol mund të jetë më i madh se në çdo detyrë tjetër që kam pasur. Ndër fushat që do të pësojnë transformim, imazheria mjekësore dallohet si një faktor kyç për diagnozë më të saktë, parandalim dhe rezultate më të mira për pacientët. Çfarëdo që të bëj në të ardhmen, do të përfshijë patjetër radiologjinë. Kur e do diçka, e mban gjithmonë pranë vetes”, thotë ministrja.
Programi kombëtar i diagnostikimit do të fuqizohet nga teknologjia digjitale dhe inteligjenca artificiale.
“Përvoja që kam fituar duke u formuar gjatë revolucionit të imazherisë digjitale dhe duke punuar gjatë transformimit të radiologjisë nga IA, deri vetëm një muaj më parë, do të më ndihmojë ta bëj këtë projekt një prioritet dhe një sukses.”
Për të bërë transformime për Onkologjikun, radiologjinë dhe trajtimin e pacientëve me sëmundje tumorale kërkohen shumë fonde. Por e bindur si ditën e parë, edhe në Parlament, Evis Sala deklaroi se sapo janë alokuar 200 milionë lekë vetëm për Onkologjikun dhe në vitin 2026 është planifikuar një fond prej 1 miliard lekësh vetëm për këtë shërbim.
Top Channel